Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 09:44

Kukës– Votat e rajonit të Korçës kanë dalë të jenë më të vlefshme për ministrin e Financave të Shqipërisë, Ridvan Bode, sesa patatet e Kosovës. Ministri Bode ka vendosur të injorojë premtimet e shefit të tij, kryeministrit Sali Berisha, se nuk do të ketë çmime referente për patatet kosovare, dhe të mbrojë prodhuesit korçarë të patates, prej nga vijnë edhe votat e tij për deputet.

Kjo masë e ndërmarrë nga Ministria e Financave ka befasuar edhe Doganën shqiptare, pasi krerët e Doganave të Kosovës dhe ato të Shqipërisë në muajin dhjetor ranë dakord përfundimisht që të gjitha operacionet doganore për eksport-importin mes këtyre dy vendeve për prodhime vendore do të kryhen me transaksione (fatura të blerjes).

Zyrtarë të Doganave shqiptare që dëshirojnë të mbeten anonimë bëjnë të ditur se kjo masë është ndërmarrë nga Ministria e Financave gjoja në emër të politikave fiskale të këtij vendi dhe mbrojtjes së prodhimit vendas, ndërkohë që sipas tyre e vërteta është se rritja e referencave të patates ka qenë një iniciativë personale e kreut të financave të Shqipërisë, Ridvan Bode, që është njëherësh edhe deputet i zonës së Korçës, e cila kultivon pataten dhe bujqit e kësaj zone kanë kërkuar sistematikisht që të ndërpritet importi i patates nga Kosova.

Megjithatë zyrtarë të Doganës bëjnë të ditur se edhe kjo masë nuk po zbatohet, pasi, sipas tyre, para pak ditësh është shkarkuar në portin e Durrësit një anije e ngarkuar me patate të Egjiptit. Ndërkohë që burime doganore bëjnë të ditur se subjekti që ka importuar pataten nga Egjipti është një nga nënshkruesit e marrëveshjes në Odën Ekonomike të Kosovës për import të patates nga Kosova.

Kur kryeministri Sali Berisha u dha përgjigje buqëve korçarë se nuk do të ndalë importin e patates, Ministria e Financave e këtij vendi ka urdhëruar rritjen e referencave në masën nga 14 centë në 24 centë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë e Ushqimit të Shqipërisë, Florian Papa, thotë se Shqipëria e ka të nevojshme të importojë rreth 22 mijë tonelata patate, pasi pjesën tjetër e plotëson nga prodhimi vendas. E këtë nevojë, prodhuesit kosovarë të patates janë të gatshëm ta mbulojnë. Kosova është një fuqi regjionale në prodhimin e patates, ku prodhuesit përballojnë një treg prej 6 milionë banorësh.

“Me keqardhje po e shpreh se Shqipëria po pengon herë pas here eksportin e patates së Kosovës me disa masa administrative duke rritur referencat. Kosova ka nevojë për pataten e hershme të Shqipërisë dhe Shqipëria për pataten e vonshme të Kosovës. Me hapjen e rrugës Durrës-Kukës-Morin, kjo tregti duhej të zgjerohej, por në fakt është penguar nga masat administrative të zyrtarëve shqiptarë”, pohoi biznesmeni Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” në Vushtrri.

Të premten janë takuar në Tiranë krerët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe kreu i Odes Ekonomike të Kosovës, ku temë e bisedës ka qenë rritja e referencave për prodhimet vendore, kryesisht të artikullit patate.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, ka kërkuar ndërhyrjen e shtetit shqiptar që problemet e krijuara nga vendosja e çmimeve të referencës nga pala shqiptare, duhet të gjejnë zgjidhje të menjëhershme. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, sqaroi se dëmi ekonomik që po i shkaktohet Kosovës nga mostrajtimi në mënyrën e duhur të produktit të patates, kap vlerën e 2 milionë e gjysmë eurove.

Referencat që aplikon Dogana shqiptare për artikullin patate janë më të lartat nga të gjitha vendet e rajonit. Nëse me Serbinë çmimi i referencës së patates është 8 centë, me Malin e Zi, 10 centë, apo me Maqedoninë 14 centë, me Shqipërinë ky produkt eksportohet me çmim reference 24 centë. Referencat për pataten e importuar në Kosovë janë rritur një muaj më parë, nga 14 centë në 24 centë. (Koha)