Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 11:20

Milano – Programi i privatizimit i Qeverisë greke për grumbullimin e mjeteve për pagimin e borxhit është prioriteti kryesor, deklaroi kryeministri grek Jorgos Papandreu në një intervistë për gazetën italiane “Korriera dela sera”.

Papandreu i publikoi masat, të cilat tashmë janë ndërmarrë për përmirësimin e financave shtetërore, duke përfshirë edhe zvogëlimin e mjeteve për sektorin shtetëror dhe liberalizimin e ekonomisë. Ai shtoi se po përgatitet edhe një plan i madh për privatizim.

“Në fillim, privatizimet nuk ishin prioritet. Tani, megjithatë, ato janë në vend të parë në program. Do ta argumentojmë se jemi të aftë që t’i paguajmë borxhet tona me një sërë projektesh për zhvillim”, theksoi Papandreu.

Ai përmendi se ekziston një konsensus i gjerë lidhur me planin, si nga ana e opozitës, ashtu edhe nga ana e mendimit publik, ashtu që programi për një kohë të shpejtë do të miratohet.

“Greqia nuk do të tregojë se është e paaftë ta paguajë borxhin, as nuk do ta braktisë eurozonën”, shtoi kryeministri grek.