Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 16:40

Shkup – Turizmi duhet të jetë projekt rajonal që do të realizohet me një bashkëpunim të ndërsjelltë, posaçërisht të vendeve nga fqinjësia, deklaroi pasdite ambasadorja greke në Maqedoni, Aleksandra Papadopolu.

Papadopolu, e cila para studentëve të Universitetit për turizëm dhe menaxhment në Shkup mbajti ligjëratë për zhvillim të ekonomisë dhe turizmit, theksoi se bashkëpunimi mes Greqisë dhe Turqisë në sferën e turizmit mund të zbatohet edhe me vendet e tjera fqinje.

“Greqia bashkëpunon shumë në këtë sferë me Turqinë. Nuk e shoh pse ajo të mos jetë rast edhe me vendet tjera fqinje. Turizmin duhet ta zhvillojmë në një mënyrë tjetër të re, jo të izoluar, por, përkundrazi, duhet t’i bashkojmë forcat në rajon”, porositi Papadopolu.

Para studentëve të Fakultetit për turizëm ambasadorja greke tha se do t’i bartë përvojat e vendit të saj në zhvillimin e turizmit, mundësi për një bashkëpunim më intensiv në këtë sferë me Maqedoninë dhe do t’i prezantojë kapacitete turke që i propozon Greqia.

Sipas saj, turizmi është njëra ndër degët ekonomike më të rëndësishme për shkak se realizon të ardhura të konsiderueshme.

Papadopolu mbajti fjalim me iniciativë të Universitetit, e jo, siç theksoi duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve, nën direktivë të Athinës zyrtare.

Deri më tani në Universitetin për turizëm dhe menaxhment ligjërata të ngjashme kanë mbajtur disa ambasadorë në vend apo përfaqësues të tyre. Qëllimi është, siç lajmëroi rektori Ace Milenkovski, studentët nga afër të njihen me potencialet e secilit vend dhe t’i dëgjojnë përvojat e tyre.

“Ideja është që t’i detektojmë pikat e përbashkëta për bashkëpunim jo vetëm në turizëm, por edhe në nivel institucional, mes universiteteve greke dhe universiteteve tona, si dhe me hotelierët”, deklaroi Milenkovski.

Ai informoi se për momentin përfaqësues nga fakulteti ynë po qëndrojnë në Greqi ku po realizojnë kontakte për praktikë verore të studentëve.

Ambasadorja Papandopolu konsideron se tani për tani kriza financiare në Greqi nuk do të reflektohet ndaj eksportuesve të Maqedonisë, ndërkaq nëse do të ketë çfarëdo ndikimi në të ardhmen nuk e din sepse, siç theksoi, nuk është ekonomiste.