Lajme Shqip Tuesday, 18 August 2015 17:46

Embargoja ruse nuk do të ndikojë në tregun shqiptar , kjo pasi ministria e Bujqësisë planifikon që tregun e prodhimeve me drithëra ta mbulojë me atë vendas.

Deklarata u bë nga ministri i Bujqësisë Edmond Panariti i cili shtoi se embargoja ruse nuk ka pasur ndonjë ndikim tek eksportet shqiptare të frutave e perimeve përkundrazi janë dyfishuar.

” Ju thoni me të drejtë që ne importojmë një sasi të konsiderueshme drithërash nga tregu rus.  Inkurajues është se kemi pasur një prodhim mbarë të grurit në vendin tonë. Unë pata një kontakt të zgjeruar me prodhuesit e miellit dhe të grurit brenda vendit për të inkurajuar blerjen masive të grurit tonë. Nëse me grurin tonë tradicionalisht kemi plotësuar 40 % të nevojave tona për bukë me grurin tonë këtë vit aspirojmë të plotësojmë 70% të tregut tonë. Padyshim që kjo është një çështje e raportit kërkesë ofertë, por kërkova që të dy palët të gjejnë rrugën dhe mënyrën që të tërheqim cdo kokërr gruri tonë që shquhet për cilësi më të lartë se ai i importit” u përgjigj Panariti pyetjes së një gazetareje në lidhje me këtë embargo.

S’do rritet çmimi i bukës as i miellit -Panariti gjithashtu nënvizoi se do i qëndrojë strikt standardit të grurit dhe se nuk do të ketë ndryshim të çmimit të bukës.

“Ne kemi paraqitur paketën e re të standardeve dhe cilësisë së grurit. Do i qëndroj shumë strikt, pavarësisht nga ndonjë presion që na vjen për të çeduar. Insistojmë që gruri për prodhimin e bukës të ketë përqindjen e proteinës 12 % sepse buka është produkti kryesor që konsumohet për shqiptarët. Ne këtu do jemi nuk pritet që të ketë rritje të çmimit të grurit dhe të miellit pasi oferta është e bollshme.”

Shqipëria me sytë nga tregu ukrainas – Ministri i Bujqësisë deklaron se në shtator do të udhëtojë drejt Ukrainës me qëllim që prodhimet e freskëta shqiptarë e të konservuara të bujqësisë të hyjnë në tregun e Ukrainës pasi “Ukraina është treg me peshë”

Njëkohësisht jemi duke projektuar për  të zgjeruar përfaqësimin e prodhimeve të frutave dhe produkteve bujqësore në tregjet e BE-së.

“Tregu në BE paguan shumë më mirë sesa tregjet rajonale, mjafton të ndajmë një shembull: Nëse ne shesim 1 kg domate në tregjet rajonale me 0.3 euro, në tregun gjerman kemi arritur ta shesim me 1.29 euro. Po kështu dhe në tregun e Zvicrës, Danimarkës”

Harta e eksporteve të prodhimeve shqiptare përfshin 20 vende, nga BE e rajoni por dhe në SHBA./Oranews.tv/