Lajme Shqip Saturday, 28 April 2012 08:05

Tiranë -Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në mbështetje të Programit të Qeverisë, Strategjisë të Punësimit dhe Formimit Profesional dhe Strategjisë Evropiane të Punësimit, harton dhe zbaton nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe zyrave të punës, politikat kombëtare të punësimit, të cilat synojnë punësim të plotë, përmirësim të cilësisë dhe produktivitetit në punë dhe forcimi të kohezionit social.

Politikat shtetërore të punësimit zbatohen nëpërmjet zhvillimit të programeve dhe projekteve aktive të tregut të punës, të formimit profesional, të riaftësimit profesional dhe formave të tjera të mbështetjes për punësimin e personave të kategorive të veçanta. Panairet e Punës konsiderohen projekte aktive në tregun e punës, nëpërmjet të cilave mundësohet takimi i drejtpërdrejtë dhe në kohë të shkurtër i kërkesës me ofertën në tregun e punës. Prej vitesh Panairet e Punës janë kthyer në aktivitetet më të rëndësishme dhe me impakt të drejtpërdrejtë në tregun e punës në qendrat më të mëdha urbane të vendit.

Edhe këtë vit në ambientet e Pallatit të Kongreseve, në datat 30 Prill-2 Maj 2012, do të çelet Panairi “Horizonte Punësimi dhe Formimi”, organizuar nga Ministria e Punës dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit. Panairi synon t’i japë mundësinë të gjithë punëkërkuesve, të sapodiplomuarve, emigrantëve të kthyer, të pa formuarve profesionalisht etj., për të pasur mundësinë të njihen me ofertat që prezanton dhe ofron tregu real i Punës në Shqipëri.

Në një konferencë të organizuar gjatë ditëve të panairit biznesit do t’i jepet mundësia të paraqesë shqetësimet dhe vështirësitë që ata hasin  përpara përfaqësuesve më të lartë të institucioneve. Organizimi i Panaireve tanimë është kthyer në një traditë të përvitshme. Në panairin që çelet ditën e hënë, më 30 Prill në Pallatin e Kongreseve, do të marrin pjesë dhe do të prezantojnë oferta pune 100 bizneset elitare më të suksesshme në vend, përfshirë Universitetet private. (LajmeShqip.com)