Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 19:55

Tiranë – Ndryshimet për paketën fiskale pritet të diskutohen të hënën me komunitetin e biznesit. Burime kofidenciale nga Ministria e Financave, bëjnë të ditur se ndryshimet në ligjin “Për akcizat” dhe  “Për taksat kombëtare”, që përfshin mënyrën e pagesës së taksës doganore për makinat e importuar, do të diskutohen në Këshillin Konsultativ të Biznesit.

Sipas relacioneve që shoqërojnë këto projektligje, do të ketë ndryshime në taksën e qarkullimit, që do të vilet nëpërmjet çmimit të karburantit. Taksa e re do të jetë fikse për naftën dhe benzinën, në masën 5 lekë për litër deri në fund të këtij viti dhe 7 lekë për litër duke filluar nga 1 Janari 2011. Gjithashtu, do të ristrukturohet taksa e karbonit e cila do të jetë:

Naftë                                3 lekë/litër

Benzinë                    1.5 lekë/litër

Solar dhe Mazut      3 lekë/litër

Vajguri                     3 lekë/litër

Koks nafte               3 lekë/liter

Sipas draftit të ri, të gjithë ata që do të importojnë një makinë, nuk do të paguajnë taksën doganore, por një taksë të re në momentin kur kryhet kontrolli teknik. Taksa do të varet gjithashtu edhe nga vjetërsia e makinës. Zbatimi i taksës vjetore të mjeteve të përdorura do të llogaritet sipas formulës: “Cilindrata në cm3*koeficienti sipas vjetërsisë*taksa fikse për llojin e karburantit”.

Nga ky detyrim përjashtohen makinat deri në 3 vjet përdorim. Burimet nga Ministria e Financave shpjegojnë se, ligji nuk do të ketë efekt prapaveprues, çka do të thotë se do t’i nënshtrohen dhe ato automjete, që e kanë paguar taksën doganore. Nga përllogaritjet e bëra rezulton se, nga zbatimi i kësaj formule efektet financiare në buxhetin e shtetit do të jenë rreth 4.1 miliardë lekë.

Me synim uljen e barrës fiskale në sektorin e prodhimit të birrës në vend po rishikohet dhe niveli i akcizës. Sipas projektligjit të përgatitur nga specialistë të dikasterit të Financave, synohet përshpejtimi i procedurës së rimbursimit të akcizës së paguar në blerje. Nga 4-7 muaj që ishte, tani do të jetë brenda një muaji. Në rast të kundërt personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore, në masën e akcizës së pretenduar për rimbursim.

Gjithashtu industritë vendase, të cilat përdorin si lëndë të para produkte të akcizës, i’u rimbursohet akciza e paguar në blerje.Për të mirëadministruar vjeljen e akcizës së birrës dhe lehtësimin e barrës fiskale për prodhuesit e vegjël, propozohet përshkallëzimi i nivelit të akcizës sipas prodhimit vjetor:

Deri në 70 mijë hektolitër                       10 lekë/liter

Nga 70 mijë-200 mijë hektolitër      12 lekë/litër

Nga 200 mijë-300 mijë hektolitër    15 lekë/litër

Mbi 300 mijë hektolitër                  30 lekë/liter. (LajmeShqip.com)