Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 16:35

Prishtinë- Zv/kryeministri i parë i qeverisë kosovare, Behgjet Pacolli, u ka bërë thirrje investitorëve amerikanë që të investojnë në Kosovë, duke theksuar se shteti ri ka kapacitete të shumëanshme.

Në konferencën e investitorëve për Kosovën, të mbajtur në Hjuston, në të cilën merrnin pjesë më shumë se 30 kompani të fuqishme, Pacolli ka ofruar një pasqyrë të mundësive reale për investime në Kosovë.

Pacolli, sipas zyrës së tij,  e ka përshkruar Kosovën si vendin më proamerikan në Evropë, si vendin me ligje sipas standardeve evropiane, në të cilin, investitorët janë të privilegjuar nga shteti.

“Në Kosovë ka nevojë për gjithçka, ndaj ka hapësirë për investime kudo, me garanci shtetërore, me mbështetje të privilegjuar nga shteti”, ka thënë ai.

Axhenda e zv/kryeministrit Pacolli në SHBA vazhdon me disa takime të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në Kongresin amerikan, ndërsa pritet të marrë edhe titullin “Lider i Demokracisë” nga Asambleja e shtetit të Nju Jorkut.