Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 13:19

Gjenevë – Prodhuesi amerikan i aeroplanëve Boing ka marrë subvencione të paligjshme shtetërore prej së paku 5,3 miliardë dollarë, kumtoi Organizata botërore tregtare (OBT) në Gjenevë.

Ndihma Boing-ut i është dhënë kryesisht në formë të shpenzimeve për hulumtim dhe zhvillim, përmes llogarisë së Agjencisë për hulumtime kozmike (NASA), theksohet në raportin e OBT-së.

Konkludimi i këtillë i OBT-së sipas të gjitha gjasave është akti i fundit  në kontestin e gjatë prej gjashtë viteve të liderëve nga sfera e avioindustrisë – Boing dhe Erbas. Bëhet fjalë për kontestin më të madh dhe më të shtrenjtë ekonomik në botë, transmetojnë agjencitë.

Të dy kompanitë një kohë të gjatë mes tyre janë akuzuar se kanë ndihmë të paligjshme nga qeveritë.

OBT, vitin e kaluar, miratoi vendim të ngjashëm edhe kundër Erbas-it.

Personat zyrtarë nga Uashingtoni dhe nga Brukseli në vitin 1992 nënshkruan marrëveshje për rregullat e ndihmës shtetërore për prodhuesit e aeroplanëve civil. SHBA e tërhoqi marrëveshjen dhe në vitin 2004 para OBT-së e akuzoi Bashkimin Evropian për dhënien e ndihmës së palejueshme Erbas-it.

Prodhuesi evropian i aeroplanëve, nga ana e vet, konfirmoi  se për shkak të ndihmës së palejueshme që e mori rivali amerikan, ka humbur porosi me vlerë prej 45 miliardë dollarëve.

“Erdhi koha kur Boing-u të ndërpresë së demantuari apo t’i minimizojë subvencionet e mëdha kundërligjore  që i pranon”, tha drejtori i Erbas-it, Rajner Ohler.