Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 14:42

Athinë – Në fazë përgatitore është plani i ri me qëllim që t’i ndihmojë Greqisë për zgjidhjen e problemeve me borxhin e saj dhe nevojat financiare në vitin 2012, kumtojnë gazetat greke, duke e transmetuar deklaratën e eurokomisarit për politikë ekonomike dhe monetare të BE-së, Oli Ren.

Ren shton se plani do të përgatitet në tërësi në disa javët e ardhshme.

Ai deklaroi se konsultimet për këtë plan janë në jehonë të plotë dhe se akoma është herët të thuhet se për çfarë ndihme shtesë ka nevojë Greqia, pasi që ekspertët e BE-së dhe FMN-së akoma nuk e kanë përfunduar misionin e tyre në Athinë, që të japin vlerësim për madhësinë e problemeve.

Oli Ren konfirmoi se po udhëhiqen negociata për ndarjen “e ndihmës shtesë” për Athinën për vitin 2012, madhësia dhe kushtet e të cilës akoma nuk janë përcaktuar.

“E gjithë kjo akoma është në fazën përgatitore nga vendet e Komisionit Evropian, shtetet anëtare të eurozonës dhe Bashkimi Evropian”, shtoi eurokomisari.

Gazetat greke shkrujnë sot se në seancën e djeshme të qeverisë kryeministri Papandreu ka deklaruar se nuk figuron çështja për daljen e Greqisë nga eurozona, as, për ristrukturimin e borxhit. Ai, gjithashtu, i mohoi spekulimet për zgjedhjet e parakohshme eventuale dhe për remontin e kabinetit.

“Vazhdojmë bindshëm të hapërojmë përpara dhe ta ndjekim politikën, prioritetet kryesore të së cilës janë zbatimi i ndryshimeve strukturore në vitin 2011, privatizimet dhe realizimi i programit buxhetor në afat të mesëm për periudhën 2012-2015”, tha Papandreu dhe shtoi se për këto çështje nuk ka pasur dallime në qeveri.

Tabloidët, megjithatë, paralajmërojnë se deficiti buxhetor i Greqisë sillet jashtë qëllimeve të kabinetit dhe se është mbi shpenzimet e parashikuara për katër muajt e vitit.