Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 13:50

Tiranë – Ndërsa ministrat e Financës së Eurozonës po diskutojnë me shqetësim për të ardhmen e euros, ekspertët e ekonomisë u bëjnë apel qytetarëve që të tregohen të qetë, kjo me qëllim shmangien e reagimeve të tepruara që mund të nxiten nga lajmet për zhvlerësimin e euros.

Rektori i Universitetit Evropian, Ardian Civici, njëherazi dhe një nga ekspertët më të njohur në fushën e ekonomisë, lidhur me këtë argument thotë se një zhvlerësim i euros mund të lehtësonte disi barrën e buxheteve familjare, por edhe të qeverisë, për sa i përket shërbimit të borxhit të jashtëm, por nga ana tjetër do të kishte një ndikim disi më negativ për sa i përket financave publike.

Në këtë kontekst, vijon ai, “njerëzit mirë është të vazhdojnë të ndjekin mënyrën e vetë të të kursyerit apo të të shpenzuarit para, pasi çdo reagim i tepruar, përveç efekteve të tregut ndërkombëtar, që duhet thënë është shumë i luhatshëm në raportet euro-dollarë, do t’i shtohet edhe pjesa tjetër e çbalancimeve të tregut, ku sigurisht të humbur do ishin pikërisht klientët e vegjël”.

Ekspertë parashikojnë një rënie të monedhës së eurozonës në tregun tonë të këmbimit, gjë që do të ketë efekte në ekonomi. Duke folur konkretisht mbi ndikimin e monedhës Euro në Shqipëri, ai pohoi se me gjithë luhatjet, gjithsesi, shkalla e besimit ndaj Euro-s është e madhe.