Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 17:40

Nju-Jork – Prodhuesi më i madh amerikan i automobilave “Xhenerall motors” (GM) paralajmëroi se do të investojë edhe dy miliardë dollarë në tregun vendor, me çka do të sigurojë apo do të ruajë katër mijë vende të punës, falë kërkesës më të madhe për modele të reja të kompanisë nga Detroiti.

“Investojmë sepse jemi të bindur në zhvillimin e mëtutjeshëm të kërkesës për automjetet tona dhe në stabilizimin e ekonomisë”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i GM-së, Daniel Akerson, duke theksuar se paratë do të investohen në modernizimin dhe rritjen e prodhimtarisë në 17 fabrika në tetë shtete amerikane.

Një pjesë e investimeve do të shkojë në rritjen e numrit të orëve të punës së të punësuarve dhe në zhvillimin e modeleve tër reja. Javën e kaluar GM kumtoi se përfitimi i kompanisë në tremujorin e parë është për tre herë i rritur në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, në 3, 15 miliardë dollarë.

Administrata e GM-së pret se kompania është në rrugë të rikuperojë pas mbështetjes financiare të Qeverisë amerikane prej mbi 50 miliardë dollarëve, me të cilën është evituar bankroti dhe është miratuar plani për riorganizim në vitin 2009.

Të ardhurat e GM-së janë rritur për 15 për qind në 36, 2 miliardë dollarë në periudhën janar-mars me 4,7 miliardë në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Përfitimi operativ i kompanisë në punën në Amerikën Veriore arriti 2,9 miliardë dollarë, dyfish më tepër sesa para një viti.

GM kumtoi se do të investojë miliona dollarë në rindërtimin e fabrikave në Toledo dhe Bouling grin, ndërsa plani i modernizimizt të fabrikave të tjera mund të pritet gjatë disa muajve të ardhshëm. Në procedurën e falimentimit GM mbylli një numër të madh të fabrikave, largoi nga puna njëmijë punëtorë dhe eliminoi katër marka jofitimprurëse të mallërave.

Falë modeleve të reja, GM e rriti pjesëmarrjen në shitje në tregun amerikan në 19,6 për qind në prill në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar.