Lajme Shqip Wednesday, 04 April 2012 07:52

Londër – Një djalë 11-vjeçar nga Holanda u gjet në mesin e 452 pretendentëve nga mbarë bota për çmimin e sivjetmë vjetor ekonomik britanik “Uolfson” me temë “Si të gjendet zgjidhje për krizën e euros”.

I riu Jure Herman nuk është në mesin e pesë kandidatëve të nominuar, por plani i tij u potencua nga ana e komisionit, i cili i vlerëson të gjitha punimet e arritura, ai vendosi që djalit t’i ndajë 100 euro si mirënjohje për punimin e tij.

Herman e lidh borxhin e brendshëm grek që është i madh dhe krizën me euron, prandaj propozon që grekët t’i këmbejnë në bankë të gjitha eurot të cilat i kanë për valutën e tyre të vjetër dhrahmën. Kështu banka eurot e grumbulluara, më pas t’ia jep qeverisë në Athinë, e cila me ato para do të fillojë t’ua kthejë borxhet kreditorëve të saj “secilit nga një pjesë, njëjtë sikurse ndahet një picë e madhe në copëza të vogla, me ç’rast secili merr nga një për vete”.

Për planin e tij, holandezi i vogël ka bërë edhe skemë në të cilën shpjegon se si eurot e grumbulluara Qeveria greke duhet t’i vërë në një vend të njëjtë, sikurse të bëjë prej tyre një picë të madhe dhe më pas fillon t’i ndajë, gjegjësisht për t’ua kthyer borxhin atyre, të cilët i jepnin para që të shpëtojë nga falimentimi.

Në mesin e kandidatëve për çmimin janë ekonomistë dhe ekspertë financiarë prestigjioz britanik dhe të huaj, por të gjithë publicitetin e mori Hermani i vogël.

Euroskeptikët britanikë e shfrytëzojnë këtë rast për vërejtje cinike se tani një fëmijë paraqitet që ta shpëtojë euron.

Në letrën të cilën e ka dërguar deri te Komisioni për çmimin, Jure Herman shkruan se vazhdimisht ka shikuar televizion dhe se është brengosur për fatin e valutës së vetme evropiane, prandaj ka vendosur që të ofrojë “pica-planin” e tij për euron. Ai parasheh që grekëve nuk do t’u pëlqejë plani i tij, dhe se ata do të hidhërohen me të.

Çmimi “Uolfson” është 250.000 stërlina dhe atë e ndan lordi britanik Uolfson, pronar i kompanisë së tekstilit “Next”.