Lajme Shqip Tuesday, 29 November 2011 16:34

Sipas një vrojtimi të kryer nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin e Statistikave, huamarrja e familjeve shqiptare është kryesisht informale. Afro 60% e tyre marrin borxh te persona fizikë, ndërsa vetëm 37% e tyre janë debitorë të sistemit bankar. Vrojtimi i takon gjysmës së parë të vitit 2011 dhe krahasuar me vitin 2010, Banka e Shqipërisë konstaton rritje të huamarrjes nga bankat me 6.7% dhe të huamarrjes informale me 4.4%.

Qëllimet kryesore të marrjes së borxhit nga familjet është blerja ose riparimi i pasurive të paluajtshme në 42% të rasteve, konsumi në 29% të rasteve dhe zhvillimi i biznesit në 10% të rasteve. Nëse kredia e dhënë nga sistemi bankar rezulton në masën 67% në euro, 96% e borxhit të marrë nga familjet është deklaruar në monedhë vendase, çka reflekton përqëndrimin e lartë të huave informale të marrë nga persona fizikë. 27% e familjeve raportojnë ulje të aftësisë për shlyerjen e borxhit në 6-mujorin e parë, kryesisht për shkak të rënies së të ardhurave familjare dhe rritjes së shpenzimeve.

Në lidhje me pritshmëritë për 6-mujorin e dytë të 2011, familjet vlerësojnë se kushtet e të ardhurave dhe shpenzimeve nuk do të ndryshojnë, ndaj për 50% të tyre nuk ekziston mundësia e marrjes së një borxhi të ri. (LajmeShqip.com)