Lajme Shqip Friday, 04 May 2012 12:00

Tiranë – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka intensifikuar kontrollin në operatorët e Biznesit Ushqimor, të cilët merren si me prodhimin ashtu dhe me tregtimin e bukës, për heqjen nga përdorimi të ambalazheve plastike dhe zëvendësimin e tyre me ambalazhe letër.

Përmes një njoftimi për shtyp, AKU bëri të ditur të premten se, gjatë këtyre inspektimeve, AKU ka synuar gjithmonë zbatimin e legjislacionit në fuqi, përsa i përket sigurisë ushqimore nga ana e operatorit të biznesit. “Nga kontrollet e kryera inspektorët kanë vënë theksin në ambalazhimin e bukës me letër organike dhe jo me qese plastike në kuadër të urdhrave të ministrit të MBUMK mbi ambalazhin”-citon njoftimi.

Në përgjithësi kontrollet e AKU kanë konstatuar se pothuajse në të gjitha qarqet e vendit ambalazhi plastik është zëvendësuar me ambalazh i cili është i lejuar të jetë në kontakt me ushqimin. Ndërkohë në zëvendësimi në masën 100% është kryer në Durrësin, Gjirokastrën, Elbasanin, Kukësin dhe Beratin.

Ndërsa problematika kryesore vazhdon të jetë në rrethin e Tiranës ku edhe përqendrimi i furrave të bukës është më i lartë. Si rrjedhojë ndaj 10 operatorëve të biznesit, në këtë qark, të cilët nuk kanë zbatuar detyrat e lëna për zbatim janë marrë masa administrative me gjobë si dhe ka pasur raste ku është pezulluar aktiviteti i tyre. AKU bën të ditur se do të vazhdojë kontrollet në mënyrë që zëvendësimi i qeseve plastike me letër të bëhet plotësisht.

Në kuadër të kësaj nisme, AKU, i bën apel konsumatorëve që të tregojë vëmendje në ambalazhimin dhe etiketimin e këtij produkti ushqimor dhe ta refuzojë të përdorë apo ta blejë bukën e ambalazhuar me qese plastike.