Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 14:30

Tiranë – Strukturat e shtetit kanë shpërndarë ndihma ushqimore në zonat e bllokuara nga dëbora e madhe, kryesisht në veri të vendit. Kjo u deklarua nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në një intervistë televizive, lidhur me masat e ndërmarra për përballimin e emergjencës civile te krijuar pas të ftohtit polar që ka përfshirë vendin tonë.

Ministri Nishani shprehu angazhimin e strukturave shtetërore për mbajtjen hapur të akseve rrugore nacionale.  “Me gjithë vështirësitë e hasura për shkak të reshjeve të dendura të motit, veçanërisht të ftohtë, është bërë përpjekje që këto akse të mbahen të hapura”, tha ministri Nishani.

Duke folur për operacionet e ndihmës, ministri Nishani  tha se, “janë disa komuna të veçanta të cilat për shkak të borës kanë ngelur të bllokuara dhe në këto komuna është ndërhyrë me ndihma ushqimore për banorët për të lehtësuar përballjen me emergjencën”. 

Sipas tij, janë zhvilluar operacione të shpëtimit dhe ndihmës në shërbim të qytetarëve të zonave më të thella e të izoluara, duke qenë se atje është kërkuar ndërhyrja e Shtabit të Emergjencave nga prefektët dhe kryetarët e komunave për shkak të vështirësisë në komunikim

“Po mundohemi të krijojmë një rrjet rrugësh të kalueshme, qoftë edhe me zinxhirë, për të mundësuar lidhjen e zonave problematike”, tha Nishani.

Sipas tij, në gjithë territorin janë angazhuar me dhjetra mjete për pastrimin e rrugëve si 40 borëpastruese, 46 fadroma etj.

Kreu i Ministrisë së Brendshme, Bujar  Nishani theksoi se, situata e krijuar nga moti i keq, i shoqëruar me reshje të dendura dëbore, ngrica dhe erëra të forta, nuk i ka gjetur strukturat e papërgatitura.

“Kjo situatë nuk na ka gjetur të papërgatitur, pasi strukturat përkatëse dhe Ministri i Brendshëm kanë pasur një turne në të gjitha qarqet për përballimin e situatës dhe po vazhdon ta përballojë edhe tani”, tha ministri Nishani.