Lajme Shqip Wednesday, 14 December 2011 09:10

Tiranë – Task-forca e Bashkisë së Tiranës, kryesuar nga kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, ka nisur dje aksionet intensive të monitorimit në tregjet me pakicë dhe shumicë të Tiranës për t’i prerë rrugë abuzimit me çmimet në prag të festave të fundvitit.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Drejtori i Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Drejtori i përgjithshëm i Tatim-Taksave dhe Drejtori i Policisë Bashkiake monitoruan dje tregjet me shumicë të kryeqytetit.

“Bashkia e Tiranës është e vendosur të ndalojë fenomenin e përvitshme të abuzimit me çmimet në prag festash, por pa cënuar lirinë e tregut”,  theksoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti.

Strukturat e bashkisë i kërkuan tregtarëve afishimin e çmimeve. “Në rast se konstatojmë se çmimet nuk do të jenë të afishuara, të shpallura, pa dyshim do të ketë edhe sanksione, masa që na i jep ligji për pushtetin lokal”, tha Panariti.

Katër grupe të përbashkëta të Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorëve, Drejtorisë së taksave të Bashkisë dhe Policisë Bashkiake janë instaluar pranë katër tregjeve me shumicë të kryeqytetit, atij tek ish- Uzina Dinamo, tregu ushqimor tek Qyteti i Nxënësve, Sheshi “Avni Rustemi” dhe Tregu i Shumicës tek 21 Dhjetori.

Ndërsa grupe të tjera të përbashkëta monitorojnë  tregjet me pakicë dhe supermarketet e  kryeqytetit.

Këtë javë Bashkia e Tiranës, për të parandaluar spekulimet me çmimet, në ndihmë të konsumatorëve, do të bëjë publike çmimet me shumicë dhe pakicë të mallrave të shportës dhe fruta-perimeve.

Periodikisht do të publikohen dhe çmimet mesatare në çdo minibashki, me synim që konsumatori të jetë i informuar për luhatjen e çmimeve në zonat e ndryshme të Tiranës.

Tre ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit dhe tregtarëve që operojnë në qytetin e Tiranës. Qëllimi i këtij takimi ishte marrja e masave dhe bashkërendimi i veprimeve për të parandaluar rritjen abuzive të çmimeve në prag të festave të fundvitit.