Lajme Shqip Saturday, 10 December 2011 20:00

Tiranë – Qytetarët shqiptarë duke filluar nga 1 janari i vitit 2012, do të duhet të bëjnë deklarimin e të ardhurave personale.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave dorëzohet në Drejtorinë Rajonale Tatimore e cila mbulon vendbanimin e individit deklarues, dorazi, me postë apo në rrugë elektronike jo më vonë se data 30 prill që pason periudhën tatimore, për të cilën bëhet deklarimi. Detyrimi i parë i deklarimit bëhet brenda datës 30 prill 2012 për vitin fiskal 2011.

Deklarimi i të ardhurave personale është një dokument që do të shërbejë më pas për të verifikuar nivelin e taksave që qytetarët kanë paguar në raport me të ardhurat e tyre.

Të gjithë qytetarëve, që kanë paguar më shumë taksa se niveli i të ardhurave që kanë, shteti do t’u rikthejë vlerën e tepërt. Që nga fillimi i këtij viti, kanë hyrë në fuqi ndryshimet ligjore, të cilat i detyrojnë individët, ashtu si bizneset, të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave.

Qytetarët do të duhet të vetëdeklarojnë gjithë të ardhurat e tyre nga çdo burim i mundshëm, ndërsa si shpenzime për llogaritjen e të ardhurave të tatueshme do të njihen ato për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, shpenzimet për mjekim, apo dhe shpenzimet për interesat e kredive të marra për shkollim. Diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve të njohura, do të tatohet me 10%.

Ligji i ri nuk ndryshon skemën e tatimit në burim, që do të vazhdojë t’u mbahet individëve për pagat apo të ardhurat e tjera, por parashikon një rivlerësim që do të bëhet pas deklarimit.

Nëse nga deklarata rezulton se individi ka të ardhura të tatueshme më të larta nga ato që i janë mbajtur në burim, duhet të paguajë diferencën. Nëse të ardhurat e tatueshme janë më të ulëta, ai duhet të rimbursohet nga autoritetet tatimore.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave plotësohet nga individët rezidentë shqiptarë për të ardhurat e realizuara brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe individët rezidentë të huaj për të ardhurat e realizuara në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në bazë të udhëzimit të ministrisë së Financave për këtë ligj, individët jorezidente shqiptare apo të huaj mund të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave megjithëse nuk kanë detyrim ligjor për këtë.

Udhëzimi parashikon që edhe të vetëpunësuarit rezidentë, vendas ose të huaj, të cilët realizojnë të ardhura nga veprimtaria e biznesit të vogël, krahas deklaratës për biznesin e ushtruar e cila duhet dorëzuar deri datë 31 mars të vitit pasardhës, duhet të plotësojnë për pjesën e fitimit pas tatimit (të përfituar në formën e të ardhurave personale) edhe deklaratën individuale vjetore të të ardhurave sikurse dhe individët e tjerë jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore për të cilën bëhet deklarimi.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë të cilët vendosin të bëjnë deklaratën megjithëse nuk kanë detyrim ligjor të bëjnë këtë deklarim si dhe nga ata të përcaktuar në pikën 2 të nenit 13 të ligjit, të cilët duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, të parashikuara ne këtë ligj.

Ekspertë të ekonomisë kanë vlerësuar pozitivisht ndërmarrjen e një nisme të tillë ligjore. Sipas tyre, deklarimi i të ardhurave personale do t’i shërbejë formalizimit të ekonomisë, por edhe ndërgjegjësimit qytetar.