Lajme Shqip Thursday, 13 August 2015 15:22

Duke mos krijuar siguri në punë siç është paraparë me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ndërmarrja Trepça po rrezikon jetën e afër 1500 punëtorëve të saj.

Inspektorati i Punës që vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, më 19 dhjetor 2014 ka nxjerrë një raport zyrtar, ku ka konstatuar se kjo Trepça po e shkel Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, pasi që aparatet për fikjen e zjarrit nuk janë servisuar qe 3 vite, gjë që i bënë jo funksionale.

“Në të gjitha njësitë punonjëse, aparatet për fikjen e zjarrit për herë të fundit janë servisuar në vitin 2012. Në rastin konkret, Punëdhënësi nuk ka zbatuar dispozitën e nenit 13, paragrafi 1, pika 11 të Ligjit Nr.04/L-161 për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, thuhet në faqen 33 të raportit.

Po ashtu në raport konstatohet se në objektin ku është vendosur Menaxhmenti (48 punëtorë), nuk ka fare aparate për fikjen e zjarrit.

Përveç këtyre parregullsive, Inspektorati i Punës ka gjetur se në Njësitë Punonjëse: Menaxhment, Fabrika e Pajimeve të Procesit, Industria e Baterive, Industria Kimike, Mbrojtja dhe Siguria në Punë, Metalurgjia e Zinkut, Departamenti i Zhvillimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, FMFJ Skenderaj, QMP dhe Trafostacioni nuk ka persona të trajnuar për fikjen e zjarrit, e obligueshme me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë.

Muharrem Beka, ekspert për parandalimin dhe hulumtimin e zjarrit, ka thënë për Veriu.info se aparatet duhet patjetër të jenë të servisuara, pasi që kjo garanton funksionalitetin e tyre.

“Me ligj të gjitha subjektet duhet të jenë të pajisura me aparate për fikjen e zjarrit. Këto aparate duhet të servisohen çdo 6 muaj, me ç’rast verifikohet gjendja e funksionalitetit të tyre. Sa i përket rastit të Trepçës, mund të them se në këtë aspekt çalojnë edhe institucionet dhe subjektet afariste, pasi që mos servisimi i tyre me kohë është shndërruar në dukuri”, ka thënë Beka, i cili është inspektor i parandalimit dhe hulumtimit të zjarrit në kuadër të Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave.

Eksperti Muharrem Beka ka treguar që çdo subjekt afarist apo institucion që ka hapësirë mbi 50 m2, duhet të ketë një aparat për fikjen e zjarrit, e që në hapësirën ku vepron menaxhmenti i Trepçës nuk ka asnjë.

Sa i përket parregullsisë tjetër të konstatuar nga Inspektorati i Punës se nuk ka persona të trajnuar për përdorimin e aparateve, eksperti Beka ka konfirmuar se sipas ligjit, institucion apo subjekti gjegjës duhet patjetër të ketë persona të trajnuar për përdorimin e aparateve për fikjen e zjarrit./Veriu.info/