Lajme Shqip Saturday, 15 September 2012 17:27

PRISHTINE – Këshilli i NATO-s, Qeveria e Kosovës dhe ajo hungareze do të fillojnë në tetor negociatat për kushtet e menaxhimit të hapësirës ajrore të Kosovës.

Zyrtarët e Aviacionit Civil të vendit kanë thënë se hapja e kësaj hapësire do t’i sjell benefite Kosovës. Megjithatë, ata nuk kanë qartësuar se sa do të jetë përqindja e Kosovës në ndarjen e fitimit me “Hungarocontrol”.

Dritan Gjonbalaj, shef i Agjencisë së Aviacionit Civil të Kosovës, ka thënë se nëse Kosova ofron më shumë shërbime e rrit koston e përfitimit.

“Ne po përpiqemi të rrisim listën e shërbimeve që Kosova ofron në këtë ndërmarrje të përbashkët me Hungarinë. Ne ofrojmë shumë shërbime, për shembull, ne ja shesim fotografinë e radarit, ja shesim velejt, antenat, shërbimin për bartjen e zërit, shërbimet meteorologjike, shërbimet për bartjen e informatave aeronautike, krejt këto do të diskutohen”, ka thënë Gjonbalaj për Radio Kosovën.

Sipas autoriteteve të aviacionit civil në Kosovë shërbimi i navigacionit ajror të Hungarisë “Hungarocontrol” nuk do të ketë benefite të mëdha nga menaxhimi i mbikalimeve komerciale të Kosovës . I gjithë përfitimi, sipas tyre, do të jetë në planin politik e strategjik.

“Nuk do lejohet që asnjë lek profit ta ketë Hungaria. Paret që do t’i merr “Hungarocontrol” do t’i merr për pagat e kontrollorëve ajror, trajnimin tyre për specifikat e hapësirës ajrore të Kosovës , ofrimin shërbimit të kontrollit me radarë e gjëra të kësaj natyre. Por, profit mbi mbulimin e shpenzimeve nuk do të ketë”, ka thënë Gjonbalaj.

Në fakt, oferta fillestare hungareze ka qenë që Kosovës t’i jepen 40 përqind nga fitimet e qarkullimeve komerciale. Kjo përqindje mund të rritet nëse “ Hungarocontrol”, pranon ofertën kosovare për shitjen e disa shërbimeve.

Vija e vjetër ajrore, pa llogaritur hyrje daljet nga Serbia përfshin afërsisht 500 fluturime në ditë dhe llogaritet t’i shtojë benefitet e Kosovës 6-7 milionë euro në vit. Këshilli i NATO-s ka vendosur që hapësira e sipërme ajrore e Kosovës e mbyllur që nga viti 1999 të hapet në qershor 2013. (LajmeShqip.com)