Lajme Shqip Monday, 05 March 2012 10:15

Tiranë – Ministria e Ekonomisë shpalli sot datën 19 Prill për zhvillimin e garës për ndërtimin me konçension të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Osum.

Burime zyrtare të METE-s bënë të ditur sot se, “projekti për ndërtimin e HEC-eve në kaskadën e lumit Osum parashikon disa kushte”.

Ndër to janë moscënimi i Kanionit të Osumit, i shpallur “Monument Natyre”, si dhe kushtet e përcaktuara në kontratat konçensionare të nënshkruara nga kjo ministri me operatorë të tjerë ekonomikë në zonën e pellgut ujëmbledhës të lumit Osum.

Në garën e hapur me konkurrencë që do të zhvillohet në ministri në datën 19 Prill, ofertuesit duhet të kenë siguruar 2% të vlerës së gjithë projektit, që do të paraqitet nga secili prej tyre.

Kaskada e HEC-eve në lumin Osum ka rëndësi të veçantë për prodhimin e energjisë pasi sipas studimeve, ato do të kenë një fuqi të llogaritur rreth 100 MW.