Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 16:30

Tiranë – Një skemë e re për kthimin e pronave, e cila po përgatitet nga qeveria dhe që pritet të nisë nga zbatimi në janar, 2013, parashikon 14 masa të reja për kompensimin financiar dhe fizik të pronave dhe do të veprojë mbi një bazë të dhënash të dixhitalizuar.

Burime të AKKP-së bëjnë të ditur se në bazë të kësaj baze dixhitale, në kohë reale do të kontrollohet situata hartografike dhe juridike për çdo dosje, mbi të cilën janë dhënë vendimet e kompensimit.

Pozitiv mbetet fakti se mbivendosjet e mundshme hartografike të vendimeve për kompensim do të dalin qartë nga baza e të dhënave. E gjithë baza e dixhitalizuar e të dhënave e AKKP-së në aspektin hartografik do të ndërtohet mbi hartat e standardizuara të prodhuara nga Agjencia Kombëtare për Prodhimin e Hartave të Standardizuara.

Subjektet e shpronësuara që disponojnë vendime kompensimi përfundimtare dhe të ekzekutueshme, brenda një afati, që do të përcaktohet nga qeveria, do të shprehin vullnetin e tyre për të përfituar kompensim financiar sipas skemës së re.

Kompensimi në çdo formë do të jepet për subjektet duke marrë në konsideratë kriterin kronologjik sipas zonave kadastrale, ku ka fond fizik kompensimi në dispozicion në bazë qarku, dhe atje ku nuk mund të ketë, do të mund të kompensohet sa më afër ndodhjes së pronës.