Lajme Shqip Friday, 18 November 2011 11:29

Gramsh – Ndërtimi i tre HEC-ve në lumin Devoll të rrethit të Gramshit, ku punimet do të nisin në fillim të vitit 2012, do të rrisin ekonominë dhe zhvillimin e qytetit.

“Përfituesit më të mëdhenj të këtij projekti, i cilësuar si më i madhi në vend, do të jenë banorët, të cilët presin me shpresë për punësim”, thotë nënprefekti i Gramshit, Shkëlqim Hoxha. Për shfrytëzimin e burimeve hidrike te lumit Devoll, i është dhënë e drejta shoqërisë Devoll Hydropower, një kompani shqiptare e krijuar nga kompania austriake EVN AG dhe kompania norvegjeze Statkraft AS, ku secili aksioner zotëron 50 për qind të aksioneve. Do të duhen rreth 6-7 vjet që të përmbyllen të tria fazat e ndërtimit të këtyre veprave, nga ku Shqipëria do të përfitojë 20 për qind më tepër energji të riciklueshme në raport me sasinë që prodhohet në kushtet aktuale.

Vetëm nga ndërtimi i hidrocentralit të Banjës do të përfitohen rreth 320 Megavat energji dhe mbi 90 milion metër kub ujë që do të përdoret për nevojat vaditëse të zonës së Sulovës, Dumresë dhe deri në zonat e Kuçovës. Por ajo që konsiderohet më e rëndësishme për të gjithë komunitetin është mijëra vende dhe rritja e biznesit. Emigrantët janë më të interesuarit, në këtë krizë ekonomike që ka pushtuar Greqinë, duke parashikuar që të kthehen para ndërrimit të viteve përgjithnjë, pasi fillimi i vitit të ri do të sjellë punë në vendin e tyre të lindjes.

“Parashikohet që numri i emigrantëve që do të kthehen në Gramsh të jetë i madh, madje jam i bindur se një pjesë e tyre do të punësohen në ndërtimin e tre HEC-ve”, thotë nënprefekti Hoxha. Në këtë vepër madhore, qe cilësohet si një nga investimet më të mëdha në vend, vazhdojnë punimet, ku vetëm në digën e Banjës janë kryer punime të tilla si, gërmime në pjesën para tunelit si dhe është instaluar mekanizmi kontrollues i portës së tunelit të shkarkimit të poshtëm, është inspektuar tuneli shkarkues i poshtëm dhe është bërë instalimi i pajisjeve mbrojtëse bllokuese të shkarkimit të poshtëm.

Përfaqësues të kompanive austriake dhe norvegjeze e cilësojnë ndërtimin e HEC-ve si një nga investimet më të mëdha në vend dhe sipas drejtorit të përgjithshëm, Helwig Ueberacker, “ky investim do të luajë një rol të rëndësishëm në rritjen e dukshme të ekonomisë rajonale, duke krijuar punësim direkt dhe indirekt, duke rritur mundësitë për biznes për sipërmarrësit lokalë si dhe për përfitime të tjera, gjithmonë me përkujdesje ndaj komunitetit”.

– Tre HEC- t përgjatë luginës së Devollit

– HEC- i i Banjës: Struktura ekzistuese e digës së përkohshme do të integrohet në projektin e ri dhe do të ngrihet në lartësinë 175 metra mbi nivelin e detit. HEC-i i Banjës do të shfrytëzojë rënien ndërmjet 175 metra dhe 95 metra mbi nivelin e detit. Diga do të ndërtohet si digë me material vendi me mbushje me bërthamë argjile të papërshkueshme dhe me një lartësi prej afërsisht 80 metra.

Liqeni që do të krijohet do të ketë një sipërfaqe prej afërsisht 14 km katrorë dhe rezervuari do të shtrihet nga Banja deri në afërsi të qytetit të Gramshit . HEC-i Koklës do të vendoset në grykën e ngushtë në hyrje të kanionit, në mesin e luginës së Devollit. Ky HEC është i dyti në renditje dhe centrali elektrik më i vogël i projektit Hidroenergjetik të Devollit.

Diga e HEC-it të Koklës ka një lartësi prej afërsisht 50 metrash dhe është më një strukturë të kombinuar betoni me gravitet dhe material vendi me një shkarkues të sipërm të fiksuar.

HEC-i Koklës shfrytëzon rënien nga një lartësi nga 350 metra deri në 295 metra mbi nivelin e detit.

HEC- i i Moglicës është centrali elektrik më i madh që do të ndodhet në pjesën e sipërme të Projektit Hidroenergjetik të Devollit. Ky HEC shfrytëzon rënien prej 300 metrash ndërmjet 650 metra dhe 350 metra mbi nivelin e detit. Diga me një lartësi prej 150 metrash është një shtresë e papërshkrueshme asfalto-betoni dhe do të jetë më e larta në botë për tipin e saj .

– Kompania do të kompensojë fshatin dhe rrugën

– Pas ndërtimit të këtyre tre hidrocentraleve, përgjatë luginës së Devollit një fshat do të përmbytet plotësisht e një tjetër pjesërisht. Po ashtu, si rezultat i krijimit të rezervuarëve edhe një pjesë e infrastrukturës ekzistuese do të ketë po të njëjtin fat. Por, mësohet se të gjitha këto pasoja do të kompensohen duke gjetur mirëkuptimin e plotë mes palëve që dëmtohen e asaj që investon, duke respektuar plotësisht marrëveshjen e konçensionit midis shtetit shqiptar dhe kompanisë që do të ndërtojë tre hidrocentralet përgjatë luginës së lumit Devoll.

Rrethi i Gramshit me një popullsi prej rreth 36.000 banorësh, ndodhet rreth 45 kilometra larg qytetit të Elbasanit dhe është pjesë e kësaj prefekture.

Investimi i dy kompanive prestigjioze është mbi 1 miliard euro, ku për realizimin e këtyre veprave mjaft të rëndësishme me kapacitet prodhimi në total nga 280 MW -383 MW parashikohet të punësohen me qindra specialistë e disa mijëra punëtorë të kualifikuar.