Lajme Shqip Saturday, 15 August 2015 09:30

Rënia e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare nuk reflektohet në tregun shqiptar. Shqipëria renditet në vendin e 9-të në rang botëror për çmimin më të shtrenjtë të naftës, me 1.3 euro/litri. Raporti “Fuel Prices Europe”, i cili publikohet përditë, paraqet çmimet e naftës në 56 shtete të botës.

Në vendin e parë është Britania e Madhe, ku çmimi i naftës është 1.6 euro. Pas Britanisë, në radhë vijnë Izraeli, Norvegjia dhe Italia, ku çmimi i naftës ruan thuajse të njëjtat vlera në çmimin e tregtimit për litër.

Nga krahasimi i çmimit në karburantet shqiptare me ato të vendeve të zhvilluara në botë shihet një diferencë e vogël. Vendi ynë renditet pranë Zvicrës dhe Danimarkës, vende këto me një ekonomi të zhvilluar dhe të ardhura të larta për frymë.

Në rajon, Rumania renditet e 21-ta me 1.19 euro, Bullgaria e 22-ta me 1.18 euro, Greqia renditet e 23-ta, me 1.18 euro, Kosova e 27-a me 1.15 euro dhe Maqedonia e 43-ta me 0.83 euro.

Vendi ynë renditet i 21-i përsa i përket çmimit  të benzinës. Në vendin e parë është Holanda, ku çmimi i benzinës është 1.6 euro. Pas Holandës, në radhë vijnë Norvegjia, Italia, Britania dhe Danimarka. Nëse u referohemi fqinjëve tanë në Ballkan, Kosova mban vendin e 38-të në botë me çmimin e benzinës 1.150 euro. Në Maqedoni, e cila renditet e 42-ta, çmimi i benzinës është 1.092 euro.