Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 21:15

Tiranë-Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet si dhe ka dorëzuar kërkesën për gjykimin ndaj 16 personave të akuzuar për përfshirje në skandalin e naftës vergine.

Zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme bëri të ditur se të pandehurit janë shtetasit Hajri Elezaj, Iljas Fisheku, Bledar Rama, Edmond Ferraj, Dashamir Kasaj, Arian Daci, Flamur Merkaj, Genci Prence, Fadil Abdurrahmani, Kadri Hajredini, Vladimir Koteci, Reshat Aleksi , Gazmend Serjanaj, Fatmir Kaja dhe Nikollaq Llozi si dhe te personit juridik “Euroil Sha”.

Sipas Prokurorisë, biznesmeni Hajri Elezaj, aktualisht me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” akuzohet për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja te renda”, “Falsifikimit te dokumentave”, “Pastrimit te produkteve te vepres penale”, “Largimi i te burgosur nga vendi i qendrimit”.

Të pandehurit Iljas Fisheku aktualisht me masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”, akuzohet për veprën e “Mashtrimit të kryer në bashkëpunim” së bashku me të pandehurin tjetër Bledar Rama.

I pandehuri Edmond Ferraj dhe Arian Daci akuzohen për “Falsifikim të dokumenteve”, Dashamir Kasaj, i hetuar me masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, akuzohet për shpërdorim detyre, ndërsa Fadil Abdurramani dhe Flamur Merkaj të hetuar me masë sigurimi “detyrim për paraqitje”, akuzohen për moskallëzim të krimit.

Edhe të pandehurit Gazmend Serjanaj, Genci Prence, Kadri Hajredini, Reshat Aleksi, Nikollaq Llozi, Fatmir Kaja dhe Vladimir Koteci akuzohen ngaprokuroria për moskallëzim të krimit.

Sipas prokurorisë, personi juridik “Euroil sha.” me përfaqësues ligjor shtetasin Hajri Elezaj akuzohet për veprën penale të “Mashtrimit me pasoja te renda”, “Falsifikimit te dokumentave” dhe “Pastrimit te produkteve te vepres penale”.

Në njoftimin për mediat prokuroria sqaron se “në kuadër të verifikimit mbi destinacionin e sasis së “virgin naftes” të blerë nga shoqëria Euroil me qëllim ekportin jashtë vendit nëpërmjet pikave doganore , në Degën e Doganës Vlore janë sekuestruar me cilësin e provës materiale  tre praktika doganore eksporti ne emer te subjektit Euroil Sha.

Skandali i kontrabandës së naftës “virgine”, u denoncua nga ish-ministri i Energjetikës Dritan Prifti, sipas të cilit, përgjatë viteve 2007-2009 në kundërshtim me ligjin nafta “virgin” ishte shitur në tregun vendas edhe pse ishte produkt i destinuar për eksport. (LajmeShqip.com)