Lajme Shqip Tuesday, 15 September 2015 08:45

Kështu mund të duket Brezovica pas investimit të 400 milionë eurove

Edhe më tutje po mbahet larg syve të opinionit procesi i privatizimit të qendrës së skijimit në Brezovicë. Zyrtarë nga Ministria e Tregtisë po thonë se projekti po ecën në bazë të dinamikës së paraparë. Ndërkaq, në anën tjetër zyrtarë të konsorciumit thonë se janë në kërkim të mjeteve.

Projektin e Brezovicës vazhdon ta përcjellë mostransparenca nga ana e institucioneve të Kosovës dhe kompanisë fituese. Tani kur kanë kaluar më tepër se pesë muaj nga nënshkrimi i kontratës mes Qeverisë së Kosovës dhe konsorciumit francez, ende asgjë nuk është e qartë.

Nga Qeveria e Kosovës, më saktësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thonë se janë duke pritur që kontrata të hyjë në fuqi të plotë pas një periudhe prej 6 muajsh (e emëruar si periudha e kushteve paraprake), gjatë së cilës konsorciumi francez, në bazë të kërkesës për propozim, duhet të dorëzojë dokumentet shtesë si: përmbylljet financiare dhe planin e vlerësimit mjedisor, në të cilat është duke punuar investitori.

Kurse nga zyra për konsultim e konsorciumit në Prishtinë, deklarojnë se janë duke punuar në atë drejtim që të sigurohen mjetet sa më parë për të filluar punën.