Lajme Shqip Sunday, 21 August 2011 17:52

Prishtinë – Një delegacion nga Turqia, në përbërje të të cilit kishte deputetë, bisnesmenë dhe shqiptarë që jetojnë në Turqi si dhe kryetari i Komunës së Inegolit, për dy ditë radhazi qëndruan në Mitrovicë, duke vizituar projektet që janë duke u financuar nga biznesmenë turq.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i njohu mysafirët me gjendjen në Mitrovicë, rrethanat specifike në aspektin politik etj. Gjithashtu ai ka folur edhe për problemet ekonomike dhe papunësinë e madhe në këtë komunë, si pasojë e rrethanave të pasluftës.

Ai falënderoi delegacionin nga Turqia për ndihmën që vendi i tyre po jep për Kosovën. “Si para luftës, ashtu edhe pas luftës Turqia ka ndihmuar Kosovën në të gjitha aspektet, andaj ne jemi shumë mirënjohës për popullin dhe qeverinë turke”, tha ai.

Po ashtu Kastrati ka përmendur edhe ndihmën e institucioneve dhe biznesmenëve turq edhe në Mitrovicë dhe theksoi interesimin dhe përkrahjen e biznesmenëve turq për zonën e lirë ekonomike që planifikohet të ndërtohet në këtë qytet.

Në anën tjetër, ai përmendi ndihmën e biznesmenëve nga Inegoli, komunë kjo me të cilën Mitrovica është e binjakëzuar.

Ndërsa anëtarët e delegacionit turk, shprehën gatishmërinë që të thellojnë bashkëpunimin me Kosovën dhe veçanërisht me Mitrovicën. Ata theksuan se qëllimi i tyre është që të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Kryetari i Komunës së Inegolit, Alinur Aktash, tha se miqësia e krijuar me Mitrovicën do të thellohet edhe më tej. Ai tha se Festivali i muzikës popullore në Inegol, ku ansambli mitrovicas merr pjesë prej katër vitesh ka krijuar një lidhje të fortë mes mitrovicasve dhe qytetarëve të Inegolit.

Ai siguroi se çdo vit komuna e tyre do të ndihmojë për realizimin e ndonjë projekti me rëndësi për qytetarët mitrovicas.