Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 15:52

Novacioni teknologjik është zgjidhja më e mirë që biznesi ka për të reaguar ndaj krizës ekonomike.

Drejtorja e Microsoft për Europën Qendrore dhe Lindore, Veronika Prikrylova, shprehet se prania e kompanisë në Shqipëri në këtë moment po merr një rol të rëndësishëm, sepse kriza ekonomike ka rritur rëndësinë e teknolgjive të reja për bizneset.

“Ne do të vazhdojmë të investojmë për të zhvilluar vendin nëpërmjet teknologjive të informacionit, duke krijuar më shumë ekspertë të çertifikuar dhe që janë në gjendje të përdorin dhe të zhvillojnë teknologjitë. Kjo strategji do të vazhdojë të krijojë vende të reja pune. Nga ana tjetër, qeveria po tregon seriozitet në rritjen e transparencës. Kjo është një tjetër fushë ku ne besojmë se teknologjia mund ta mbështesë qeverinë për realizimin e prioriteteve të veta. Ndaj ne po punojmë me partnerë lokalë për të ndërtuar aplikime të këtij lloji për qeverinë,” thotë znj.Prikrylova.

Drejtuesit e Microsoft vënë gjithashtu theksin tek rëndësia e mbrojtjes së pronësisë intelektuale. S

ipas tyre, programet e piratuara nuk janë vetëm një problem i të drejtës, por edhe një risk i konsiderueshëm operacional për ata që i përdorin.

Pirateria e programeve kompjuterike është një ndër problemet kryesore të Microsoft, veçanërisht në tregjet në zhvillim. Sipas Zyrës së Microsoft, niveli i piraterisë në tregun shqiptar është 75%.

Mbrojtja e pronësisë intelektuale është një kush i integrimit në Bashkimin Europian dhe, sipas progres-raportit të fundit, Shqipëria nuk ka bërë përparime në këtë drejtim.