Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 15:15

Microsoft zhvilloi sot në Tiranë konferencën vjetore për prezantimin e produkteve të saj më të reja dhe bëri të ditur se do t’ju kushtojë vëmendje në rritje tregjeve në zhvillim, si Shqipëria.

Drejtori i Zyrës për Shqipërinë, Arsen Kurti, tha se pavarësisht nga kriza ekonomike, Microsoft do të vazhdojë investimet e përqëndruara te edukimi dhe rritja e kapaciteteve të partnerëve lokalë.

Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, tha se administrata shqiptare përdor 6 mijë licenca të plota “Desktop Professional” të Microsoft dhe theksoi se zhvillimi i shërbimeve publike online ka ulur kostot, por edhe nivelin e korrupsionit.

Vitin e kaluar, qeveria shqiptare rinovoi kontratën e partneritetit me Microsoft. Në kuadër të marrëveshjes, së bashku me partnerë të tjerë, është ngritur edhe qendra e inovacionit dhe biznesit ProTIK, që do të nisë funksionimin së shpejti.