Lajme Shqip Wednesday, 05 October 2011 18:01

Tiranë-Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vendosi  nisjen e procedurave për revokimin e lejeve minerare për 43 shoqëri që janë të pajisura me leje minerare në vendin tonë, bëri të ditur sot zyra për shtyp e METE-s.

Vendimi i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Nasip Naço, erdhi pas kontrolleve të vazhdueshme që janë zhvilluar mbi subjektet minerare nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, nga të cilat ka rezultuar se një numër i caktuar shoqërish, që janë të pajisura me leje minerare, nuk përmbushin detyrimet ligjore për sektorin minerar.

Kontrollet e kryera kanë verifikuar se, shumë prej subjekteve minerare për të cilat kanë nisur procedurat e revokimit të lejeve minerare nuk kanë punuar dhe nuk punojnë, si dhe nuk kanë paraqitur programin vjetor të aktivitetit për vitin 2011, si dhe për vitet paraardhëse.

Për këtë arsye, sipas propozimeve të AKBN-së, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nisur procedurat për revokimin e lejeve minerare për 43 shoqëri, të cilat janë njoftuar për një vendim të tillë. Brenda një periudhë 30 ditore nga marrja e këtij njoftimi, ministri vendos për revokimin e lejes minerare.

Në njoftimet përkatëse që iu janë dërguar shoqërive minerare, këto të fundit vihen në dijeni për mosplotësimin e detyrimeve ligjore, si mos realizimin e detyrimeve sipas neneve 56,57 dhe 59 të Ligjit Minerar Shqiptar nr.7796, datë 17.02.1994, i shtuar dhe i amenduar, apo mos realizimin e detyrimeve sipas nenit 25 të ligjit nr.10304, datë 15.07.2010 “Për Sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”.

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës bën të ditur se do të vijojë të zbatojë me përpikmëri legjislacionin përkatës për sektorin minerar në vend.