Lajme Shqip Wednesday, 06 July 2011 20:41

Tiranë – Nëse ka biznese shqiptare të interesuara për tregun e kapitaleve, ato duhet të listohen në Bursën e Tiranës. Elvin Meka, ekspert dhe ish-drejtor i Bursës, thotë se nuk ka pengesa ligjore apo teknike që bizneset të kuotojnë aksionet e tyre në Bursën vendase.

Sipas Mekës, praktikisht është shumë e vështirë që një biznes shqiptar të hyjë në një Bursë europiane, pa qënë i listuar më parë në Shqipëri.

“Logjikisht, një biznes duhet të listohet në vendin e vet të rezidencës para se të mendojë për të hyrë në një Bursë të huaj. Për më tepër, bizneset shqiptare nuk mund të plotësojnë menjëherë kriteret që kanë Bursat e mëdha europiane. Para se të mendojnë për Bursën e Vienës apo të Milanos, bizneset shqiptare duhet të fitojnë eksperiencë në në Bursën e Tiranës,” thotë Meka.

Drejtori i “Raiffeisen Bank”, Christian Canacaris, tha javën e kaluar se disa biznese shqiptare janë interesuar për të hyrë në Bursat europiane. Por, kjo ka rezultuar e pamundur për shkak të përmasave të tyre të vogla dhe për shkak të kritereve të avancuara që aplikohen nga Bursat e huaja.

Vështirësitë për të listuar biznese shqiptare në Bursa jashtë Shqipërisë janë pranuar edhe nga drejtues të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Gjatë një vizite në Milano, në fillim të këtij viti, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare kishte diskutuar me përfaqësues të Bursës së Milanos për një listim të mundshëm të disa kompanive të interesuara shqiptare. Por, në këtë projekt asgjë nuk ka ecur. Nga ana tjetër, Bursa e Tiranës, edhe pse ekziston prej 13 vjetësh, vazhdon të jetë një treg i zbrazët, ku nuk kryhet asnjë veprim. (LajmeShqip.com)