Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 16:27

Tiranë – Sistemi i mbrojtjes civile do të funksionojë sipas standardeve europiane. Kjo shpresohet të bëhet e mundur nëpërmjet funksionimit të një rrjeti qendrash operative, që do të lidhen me Qendrën Kombëtare të Parashikimit dhe Monitorimit të rreziqeve natyrore dhe të dhënat do të përpunohen në kohë reale. Krijimi i këtij sistemi është mundësuar nga qeveria italiane në bashkëpunim me qeverinë shqiptare. Zoti D’Elia tha se Italia mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por ky anëtarësim kërkon edhe reforma në të gjitha fushat sipas standarteve europiane.

“Vendi juaj ka dalë nga varfëria dhe keni arritur një mesatare prej 4 mijë dollarësh në prodhimin e brendshëm bruto për frymë. Kjo tregon se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është e aftë për transformim edhe në këtë fushë,” tha D’Elia.

Gjatë ceremonisë së hapjes të kësaj qendre, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, theksoi se për një përballim dhe parandalim sa më me efikasitet të katastrofave natyrore nevojitet bashkëpunim i të gjitha strukturave shtetërore. (LajmeShqip.com)