Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 16:37

Tiranë – ProCredit Bank, është një ndër bankat që po mbështet zhvillimin e sektorit bujqësor, si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

Anila Denaj, nëndrejtore e Përgjithshme e ProCredit Bank shpjegon për ATSH-në, se, në kuadër të bashkëpunimit me institucionet shtetërore që mbështesin zhvillimin e bujqësisë, banka parashikon që këtë vit të rrisë kreditimin e fermerëve dhe sipërmarrësve ne sektorin e agrobiznesit, duke ofruar shërbime konkurruese.

“Për këtë qëllim, ProCredit Bank ka lidhur marrëveshje me agjencinë rajonale të Zhvillimit (AZHBR) për t’ju ardhur në ndihmë të gjithë përfituesve nga skemat e subvencionimit te bujqësisë”, tha Demaj.

Sipas saj, vetëm për masën e nxitjes së kreditimit bankar përmes subvencionimit të 70% të interesave bankare për vitin 2011 është përcaktuar nga MBUMK një fond prej 50 milionë lekë.

“Interesat e favorshme që ProCredit Bank ofron për kreditimin e agrobiznesit, në krahasim me operatorët e tjerë kreditues, bëjnë të mundur që nga ky fond të përfitojnë rreth 30% më shumë fermerë/sipërmarrës nga subvencionimi 70% i normës së interesit”, shprehet Demaj.

Për të realizuar fondin prej 50 milionë lekë të caktuar për vitin 2011 për subvencionimin e 70% të normës së interesit të kredisë, me interesat favorizuese të aplikuara nga ProCredit Bank (11%), shuma e kredive që duhet të disbursohet për vitin 2011, është 700 milionë lekë.

Mbështetja përmes subvencionit në masën 70% të normës së interesit për 5 vite radhazi për kreditë deri në 25 milionë lekë, do të merren për aktivitete të tilla si ruajtja dhe përpunimi i produkteve bujqësore, blegtorale etj.

Aplikimet për mbështetje financiare kanë nisur nga data 1 Mars dhe do të vijojnë deri më 30 Qershor.