Lajme Shqip Tuesday, 13 December 2011 20:57

Tiranë-Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, Komisioni i Ekonomisë miratoi sot vetëm me votat e mazhorancës, projektligjin për privatizimin 100 % të kompanisë “Albpetrol”.

“Nëpërmjet këtij procesi, qeveria synon të sigurojë investime private për zhvillimin e sektorit të naftës, të përmirësojë teknologjinë dhe sistemin e menaxhimit, standardet mjedisore në këtë sektor, si dhe të krijojë kushtet për liberalizimin e tregut të hidrokarbureve”-deklaroi zëvendësministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Enno Bozdo.

Duke paraqitur termat e formës dhe strukturës së privatizmit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a. Patos”, që sanksionohet në këtë ligj të posaçëm, Bozdo tha se privatizimi i Albpetrol është strategjik.

“Me privatizimin e tij ne fusim në rentabilitet Albpetrol-in”, theksoi Bozdo.

Në bazë të p/ligjit parashikohet shitja e 100 për qind të aksioneve të kompanisë, një alternativë e sugjeruar nga kompania konsulente Patton/Bogss, e kontraktuar nga ekzekutivi për të vlerësuar asetet dhe formulën e privatizimit.

Drafti parashikon që të ardhurat nga privatizimi të shkojnë sipas nevojave që do të ketë buxheti i shtetit apo projekte investimi.

Por kjo zgjidhje është kundërshtuar nga opozita, e cila përveç votës kundër, tha se me Albpetrolin duhet të ndiqet rruga e privatizimit të një pjese të aksioneve ose e koncesionit me një afat të parapërcaktuar dhe jo ajo e privatizimit, pasi në rastin aktual bëhet fjalë për një burim natyror.

Në kundërpërgjigje të pretendimit të opozitës, Bozdo tha se në rastin aktual nuk bëhet fjalë për privatizimin e puseve të naftës që janë burim natyror, por për privatizimin e aseteve.

Projektligji për privatizimin e kompanisë Albpetrol pritet të votohet në seancën plenare të së enjtes. Vlera e aseteve të Albpetrol llogaritet rreth 420 milionë dollarëve, fond, i cili nëse realizohet privatizimi, do të përdoret për mbulimin e kostove, ndërsa pjesa tjetër do t’i kalojë buxhetit të shtetit. (LajmeShqip.com)