Lajme Shqip Wednesday, 16 March 2011 15:01

Tiranë – Ministria e Financave bëri të ditur sot se, sasia e karburantit që taksohet, u  gati dyfishua në vitin 2010, krahasuar me vitin 2005, ç’ka tregon efikasitetin ndaj evazionit fiskal të ndërmarrë nga ky institucion.

Në një deklaratë për shtyp zëdhënëse e Ministrisë së Financave Eva Simoni deklaroi sot se, rritja e sasisë së karburantit të zhdoganuar nga 210 mijë tonë karburante që taksoheshin në vit në kohën e qeverisjes socialiste, në 480 mijë ton në vitin 2010 si dhe katërfishimi i të ardhurave nga taksimi i karburanteve, hedhin poshtë akuzat që Partia Socialiste vijojnë të bëjë për naftën Virgin.

“Ministria e Financave thekson se ka qenë pikërisht ky institucion që i ka vënë fre avazit të nisur gjatë kohës kur socialistët ishin në pushtet dhe kur kontrabanda e naftës, jo vetëm asaj Virgin njohu lulëzimin e saj. Këtë e tregojnë qartë dhe shifrat zyrtare sipas të cilave”, tha Simoni.

Ajo sqaroi se për vendosjen nën kontroll të këtij evazioni fiskal, në vitin 2008 Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Tatimeve nisën hetimet për produktin e nadtës, Virgin.

Këto hetime, vijoi ajo, “janë vendosur në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme, mbi bazën e të cilave ky organ ka ngritur akuzat këto ditë në gjykatë”.

Sipas Simonit, “administrata tatimore ka bllokuar në treg një sasi prej rreth 18 mijë ton naftë Virgin, që nga shkurti i vitit 2009”.

Ajo tha se “që nga kjo periudhë, nuk ka patur më tregtim të naftës Virgin në tregun shqiptar”.

Simoni gjithshtu bëri të ditur dhe një sërë masash për uljen e avazionit fiskal nga tatimet si vendosjen e akcizës prej 50 lekë për litër, nga 0 lekë që ishte në kohën e socialistëve, ndalimin e tregtimit dhe përdorimit të naftës D 2, nën të cilën maskohej tregtimi i naftës Virgin dhe vendosjen  e pajisjeve elektronike fiskale për raportimin e shitjeve me pakicë të karburanteve.

“Reagimi i deputetëve socialistë është një protestë e dëshpëruar për të mbrojtur me çdo kusht parajsën e evazionit fiskal dhe të kontrabandës në tregun e naftës, të cilën e kanë përdorur për një kohë të gjatë. Ato janë zërat në dukje të të gjithë interesave mafioze që fshihen mbrapa tyre”, tha Simoni.

Organet e drejtësisë së fundi ndaluan 13 persona si përgjegjës për kontrabandën e naftës së njohur si nafta “vergine”./n.m/