Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 12:02

Shkup – Komisioni i përzier për komunikacion rrugor ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallit të Maqedonisë dhe Malit të Zi, në takimin e fundit në Podgoricë nënshkroi Protokoll me të cilin transporti bilateral i mallrave midis dy vendeve do të liberalizohet, gjegjësisht do të zhvillohet pa regjim të lejeve.

Protokolli, siç njoftoi Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, do të hyjë në fuqi nga 1 maji i këtij viti, ndërsa me të pezullohen 2.000 leje bilaterale të cilat transportuesit e Maqedonisë duhej t’i posedonin për kryerjen e transportit të mallrave në Mal të Zi.

“Në takimin e Komisionit të përzier Maqedoni-Mali i Zi është dakorduar për vitin 2011, përveç kontingjentit themelor prej 300 lejeve për dhe prej vendeve të treta të këmbehen edhe 100 leje shtesë për dhe nga vende të treta. Kontingjenti plotësues në tërësi do t’i kënaq nevojat e transportuesve të Maqedonisë për transportin e mallrave për dhe nga vende të treta nga Mali i Zi”, qëndron në kumtesë.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në kontinuitet mban takime pune të komisioneve të përziera për transport në komunikacionin rrugor ndërkombëtar, me qëllim që të vendos transport të liberalizuar me vendet me të cilat Republika e Maqedonisë realizon këmbim ekonomik.