Lajme Shqip Tuesday, 15 November 2011 19:15

Tiranë – Shqipëria duhet të ulë borxhin publik dhe pjesërisht kjo duhet të arrihet përmes rritjes së taksave.

Në një forum me studentët e Universitetit “Epoka”, eksperti dhe politikani Arben Malaj, nënvizoi rrezikun e madh që vjen për Shqipërinë nga niveli i lartë i borxhit. Sipas tij, ky është momenti kritik kur Shqipëria duhet të fillojë një strategji të uljes graduale të borxhit sovran.

Aktualisht, stoku real i borxhit publik të Shqipërisë ka kaluar nivelin 60% të prodhimit të brendshëm bruto, duke përfshirë këtu detyrimet e papaguara ndaj biznesit. Ky është niveli maksimal i parashikuar në marrëveshjen e Mastrihtit për vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa, për vendet si Shqipëria, Fondi Monetar Ndërkombëtar këshillon një kuotë borxhi jo më të lartë se 45%.

Z.Malaj tha se në kushtet ku ndodhen tregjet, kosto e interesave të borxhit është e paparashikueshme, duke ju referuar edhe rasteve konkrete, si për shembull Italia. Për këtë arsye, qeveritë mund të jenë të ekspozuara ndaj goditjeve të rënda në koston e shërbimit të borxhit.