Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 17:22

Tiranë – Shqipëria ka shënuar progres në ndalimin e krimeve të dhunshme, sigurinë publike dhe përpjekjet e saj për t’u dhënë mbështetje qytetarëve, vlerësoi sot Kseniya Lvovsky, Përfaqësuese e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri.
E pranishme në shpalljen e 10 organizatave fitues të shoqërisë civile në konkursin “Panairi i Ideve Krijuese”, znj.Lvovsky e vuri theksin në promovimin e qeverisjes më të mirë dhe të llogaridhënies në Shqipëri, veçanërisht në nivel lokal.
Ajo tha se “një nga sukseset më të mëdha që Shqipëria ka arritur është një progres mjaft i rëndësishëm  në ndalimin e krimeve të dhunshme, sigurimin i sigurisë publike. Faktor suksesi konsiderohen të gjitha përpjekjet e qeverisë për t’i dhënë një mbështetje sa më të madhe qytetarëve”.
Duke iu referuar përvojave globale, Lvovsky argumentoi se një qeverisje e mirë nuk mund të vijë vetëm nga lart, pasi ajo kërkon një kërkesë të fortë nga baza, ku janë qytetarët, shoqëria civile, sektori privat.      
Qeverisja e mirë, vuri në dukje ajo, “kërkon punë dhe angazhim nga të gjithë”.  
Sipas saj, një qeverisje e mirë është vendimtare për progresin e Shqipërisë, progresin ekonomik dhe social dhe aspiratat e saj drejt integrimit në BE. 
Banka Botërore mbështet qeverisjen e mirë përmes praktikave më të mira globale, duke ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve dhe shërbimeve në mekanizmat e llogaridhënies, proceset e menaxhimeve financiare. Një nga aktivitetet më të rëndësishme është mbështetja e shoqërisë civile për të pasur një qeverisje më të mirë.    
Për këtë arsye British Council në Shqipëri dhe Zyra e Bankës Botërore shpallën 10 organizatat fituese të konkursit “Panairi i Ideve Krijuese”, një program që mbështet rolin e shoqërisë civile në vend.   
Duke përgëzuar organizatat fituese, Ambasadorja e Mbretërise së Bashkuar, Fiona McIlëham, tha se shuma e vënë në dispozicion për këtë program është 100 mijë dollarë dhe shpërndarja gjeografike e projekteve përfshin pothujase të gjitha rajonet e vendit.  
Në këtë konkurs morën pjesë 144 projekt- propozime, por komisioni përzgjodhi fituese projektet e Aleancës Gjinore, Institutit të Medias, Art- Link, Lëvizja Europiane në Shqipëri, etj. 
Ngritja e kapaciteteve në fushat e menaxhimit financiar dhe prokurimeve publike të institucioneve, janë objekti i programit, i quajtur si mini-panair idesh, pjesë e një programi më të gjerë të Bankës Botërore, i cili quhet granti lehtësues për partneritet në qeverisje. 
Programi i BB dhe British Council synon llogaridhënien dhe transparencën në nivel lokal dhe kombëtar, fuqizimin e grupeve të interesit, aktivitete anti-korrupsion, edukimin qytetar, mundësinë e publikut për t’u informuar, qeverisje ekonomike, dialogu i politikëbërësve në nivel kombëtar, pjesëmarrje në hartimin e buxheteve në nivel lokal dhe kombëtar.