Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 12:06

Tiranë-Borxhi prej 58 milionë euro që kompania CEZ i ka KESH-it nuk
është trashëguar dhe as është krijuar nga koha kur sektori i shpërndarjes së energjisë ishte në varësi të shtetit (ish -OSSH), bën të ditur Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), duke hedhur poshtë pretendimin e CEZ-it.

Dy ditë më parë, drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo i tha ATSH-së se CEZ i ka një shumë prej 55 milionë euro.

Sot KESH-i njofton se “kjo shumë, bashkë me kamat-vonesat, ka arritur në vlerën rreth 58 milionë euro dhe është e njohur nga CEZ, pasi ka nisur të krijohet si borxh që nga muaji nëntor 2010 e në vijim”.

Kompania CEZ ka 13 muaj që nuk e paguan energjinë që merr nga KESH-i për të furnizuar konsumatorët, sipas kontratës së lidhur mes dy kompanive.

Për pasojë, sot KESH ndodhet në vështirësi financiare. KESH po importon aktualisht energji, duke përdorur 45 milionë euro overdrafte, përmes të cilave ka garantuar blerjen e energjisë elektrike sipas kërkesës së CEZ-it për për të furnizuar pa ndërprerje konsumatorët.

“I vetmi klient që KESH ka është CEZ dhe si rrjedhim, shlyerja e detyrimeve prej saj ka rëndësi jetike për Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare”, thanë burimet zyrtare të korporatës shqiptare.

Por gjithashtu, KESH ankohet dhe për faktin që CEZ-i nuk ka bërë planifikim të saktë të konsumit të energjisë mbi bazën e statistikave shumëvjeçare, kusht që e kërkon edhe modeli i tregut të energjisë.

Në fillim të vitit, CEZ kërkoi 4,3 miliardë këh energji për furnizimin vjetor të konsumatorëve në Shqipëri, ndërsa sot ky furnizim arrin në vlerën 5.2 miliardë kilovat-orë, ose me 900 milionë këh shtesë mbi planifikimin fillestar, të cilin e ka përballuar KESH-i për sigurimin e energjisë për të furnizuar CEZ-in.

KESH reagoi ndaj një deklarate zyrtare të bërë nga CEZ, sipas të cilës ajo, “nuk mund të paguajë borxhet ndaj KESH, pasi qeveria i detyrohet për faturat e papaguara të energjisë nga disa institucione shtetërore”, duke e quajtur këtë si një mentalitet mesjetar.

KESH edhe CEZ janë dy kompani që funksionojnë në bazë të kontratave të vendosura me mirëkuptim të përbashkët në përputhje me ligjet e shtetit shqiptar. “Si të tilla ato janë të detyruara të respektohen nga të dy palët”, thanë burimet zyrtare të KESH-it.