Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 16:03

Prishtinë – Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, prezantuan rregulloren e re ligjore për AKP-në dhe Odën e Veçantë të Gjykatës Supreme. Propozimet e mëhershme të drejtuesve të AKP-së për ndryshim të ligjeve, tani kanë gjetur përkrahje nga qeveria, donatorët, dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë, tha me këtë rast kryetari i Bordit të AKP-së Dino Asanaj.

“Miratimi i këtyre ligjeve është i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Kosovës, pasi që i mundëson AKP-së përshpejtimin e procesit të likuidimit dhe privatizimit që rrjedhimisht do të ketë ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të vendit dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ligji i ri për AKP-në është një ligj i thjeshtëzuar, i cili i heq përfundimisht të gjitha referencat në rregulloret e UNMIK-ut, theksoi drejtori menaxhues i Agjencisë Shkelzen Lluka, duke e theksuar edhe zvogëlimin e prezencës ndërkombëtare në AKP.

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare do të jetë i përfaqësuar vetëm në Bordin e Agjencisë më 3 anëtarë. Po ashtu, në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, ku kanë qenë gjyqtarë të emëruar nga EULEX-i, me ligjin e ri në 5 panele, do të jenë nga 2 gjyqtarë vendorë dhe një ndërkombëtar, kurse në panelin e apelit do të jenë 5 anëtarë, kurse kryesuesi do të jetë ndërkombëtar.

Me ligjin për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara shoqërore, Trepça do të administrohet nga AKP e jo nga ndonjë administrator ndërkombëtar. Me ligjin e ri, AKP-ja njëherit nuk do të jetë barrë për buxhetin e Kosovës, por do të vetëfinancohet.