Lajme Shqip Tuesday, 02 August 2011 15:43

Tiranë – Janë rreth 100 objekte në Tiranë, të cilat nuk hipotekohen për shkak të barrës fiskale që kanë kompanitë e ndërtimit. Sipas Kryeregjistruesit Arben Qirjako, me zbatimin e Ligjit të Amnistisë Fiskale, shumë kompani çlirohen nga taksat dhe gjobat e papaguara. Më pas, marrja e një vërtetimi nga Drejtoria e Tatim Taksave, që kompanitë nuk kanë gjoba dhe taksa të papaguara, i hap dritën jeshile një sërë objekteve të pahipotekuara.

Shoqata e Ndërtuesëve shprehet se Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk ka përse të bëjë rolin e agjentit tatimor. Sipas nëndrejtorit të kësaj shoqate, Ilir Hebovia, ata kanë hyrë në bisedime me Ministrinë e Financës, Drejtorinë e Tatimeve dhe Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për t’a hequr këtë vërtetim si kusht për të kryer hipotekimin. Edhe një pjesë e mirë e dosjeve të objekteve me shtesa katesh, të miratuara nga Agjencia e Legalizimit, kanë mbetur të pahipotekuara pikërisht, për shkak të barrës fiskale që kanë firmat ndërtuese. (LajmeShqip.com)