Lajme Shqip Tuesday, 10 May 2011 15:39

Tiranë – Rrëshkitja e lekut ndaj euros po bëhet një fenomen i pandalshëm. Të dhënat historike tregojnë se veçanërisht në tre vitet e fundit monedha jonë po humbet vazhdimisht terren në sfidën me monedhën e përbashkët europiane.

Në pjesën e parë të muajt maj, kursi i euros ka kapërcyer kuotën e 142 lekëve. Krahasuar me kursin mesatar të vitit 2010 leku është dobësuar me 3.1%, ndërsa krahasuar me vitin 2008 kur u ndjenë lëkundjet e krizës, leku është dobësuar me afro 16%.

Ky dobësim sjell probleme të shumta për një ekonomi shumë të lidhur me përdorimin e euros, si ajo e jona. 60% e importeve vijnë nga vendet e Bashkimit Europian dhe pothuajse të gjitha paguhen në euro. Rreth 65% e portofolit të kredisë së sistemit bankar është disbursuar në euro. Pagesat në shumë sektorë kyç të ekonomisë, si ndërtimi, kryhen në euro. Të gjithë këta faktorë e bëjnë vendin tonë shumë të ndjeshëm ndaj forcimit të euros.

Remitancat, që kanë qënë burimi kryesor i valutës dhe mburoja e lekut në kursin e këmbimit, vitet e fundit kanë njohur rënie, qoftë për shkak të krizës, por qoftë edhe sepse rënia e tyre është pjesë e një cikli të natyrshëm. As rritja e investimeve të huaja nuk i ka ruajtur dot balancat dhe nuk e ka shmangur dot rënien e lekut.

Pa marrë parasysh konjukturën e çmimeve, një produkt bazë importi sot është 16% më i shtrenjtë se tre vjet më parë vetëm për shkak të kursit të këmbimit. Pa llogaritur luhatjet e normave të interesit, kësti i kredisë në euro sot është 16% më i shtrenjtë se tre vjet më parë vetëm për shkak të kursit të këmbimit.

I vetmi institucion që është përpjekur të frenojë një të ashtuquajtur “euroizim” të ekonomisë shqiptare është Banka e Shqipërisë, por deri tani me rezultate modeste. Dobësimi i lekut në vitet e fundit ka ringjallur në moment të veçanta idenë e kalimit në euro, ashtu siç kanë bërë vendet fqinje si Mali i Zi apo Kosova. Qeveria dhe Banka Qendrore me të drejtë kanë dalë në mbrojtje të lekut. Por, nuk duhet harruar që, nëse objektivi dhe ëndrra jonë është Europa e bashkuar, e ardhmja është pashmangshmërisht euro.