Lajme Shqip Monday, 17 December 2012 15:24

TIRANE- Buxheti i vitit 2013 u miratua në tërësi në Kuvend, vetëm me votat e mazhorancës. Pas shqyrtimit nen për nen, deputetët miratuan me 72 vota pro buxhetin për vitin që po vjen, ndërsa opozita votoi kundër, ashtu siç kishte paralajmëruar. Edhe seanca e sotme, e cila zgjati pak më shumë se një orë, u karakterizua nga debate, pasi deputetët e opozitës e kundërshtuan buxhetin, me argumentin e rritjes së pajustifikuar të nivelit të borxhit publik. Deputetët socialistë kanë kundërshtuar nenet 9, 10, 15 dhe 17 të pr/ligjit.

KODHELI: BSH TË KONTROLLOJË NIVELIN E BORXHIT
Ora 13:00-
Pas mbylljes së votimit, deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, ka kërkuar që Banka e Shqipërisë të kontrollojë nivelin e borxhit, që sipas saj ka dalë jashtë kontrollit.

“Unë kërkova vetëm që Banka e Shqipërisë të mund të llogarisë dhe kontrollojë nivelin e borxhit që ka dalë jashtë kontrollit dhe jo të abuzojë me të”, tha ajo.
Kodheli nënvizoi se “Financat publike janë sot në ditët më të këqija, edhe menaxhimi i tyre është në ditët më të këqija”.

BRAÇE: NENI 17 I SHËRBEN PARTISË, JO QYTETARËVE, BODE: BENI ZHURME KOT
Ora: 12:30 – Deputeti socialist Erion Braçe kritikoi nenin 17 të pr/buxhetit, duke theksuar se çështja e rialokimit të fondeve bëhet shumë e mprehtë, për faktin se 2013-ta është një vit elektoral.

“Neni 17 i jep të drejtën qeverisë të rialokojë fondet brenda ministrive. Rialokimet e fondeve janë kthyer në një politikë bazë të qeverisë. Rialokohen fonde që 3 muajt e parë të vitit. Natyrisht që kjo çështje bëhet shumë e mprehtë, për sa kohë jemi në një vit elektoral. Po të lexoni relacionin e Komisionit të Ekonomisë, shikoni fare mirë që ka filluar rialokimi edhe pa u miratuar buxheti. Ky nen nuk e bën këtë buxhet që t’u shërbejë qytetarëve, por do t’i shërbejë partisë”,- u shpreh Braçe.

Ministri i Financave, Ridvan Bode argumentoi se fondet që mund të rialokohen janë simbolike dhe nuk kapin as 1% të vlerës totale të buxhetit. Sipas Bodes, kjo është vetëm një zhurmë që opozita kërkon të bëjë në Kuvend.
“Ky nen ka qenë i tillë gjithmonë edhe në qeverisjen e majtë. Ajo që ne kemi kufizuar është përqindja. Ka qene në 20% dhe ne e kemi berë 10%”,- u shpreh ministri Bode.

FINO: ULET GRANTET E BASHKIVE TË MAJTA, IA SHTONI TË DJATHTAVE
Ora 12:14-
Deputeti i PS-së Bashkim Fino është shprehur kundër nenit 15, i cili sipas tij bie në kundërshtim me një ligj dhe një konventë të miratuar në Kuvend.
Ndër të tjera Fino tha se në ndarjen e granteve për bashkitë është punuar me dy standarde. “Keni ulur grantet për bashkitë e majta, duke i shtuar për ato të djathta”, tha Fino.
“Thoni se ndryshimet janë bazuar te censusi, po pse nuk i referoheni censusit të popullsisë edhe për ndarjen e mandateve”, tha Fino më tej. 

Kodheli: Të ardhurat e privatizimeve për makiazh elektoral
Ora 11:58
– Neni 9 i pr/buxhetit ngjalli kundërshtimin e opozitës për mënyrën si ishte hartuar, prandaj deputetja e PS-së Mimi Kodheli propozoi disa ndryshime që nuk morën votën e shumicës së deputetëve.

Sipas Kodhelit në këtë nen që përfshin privatizimin e Albpetrol paratë nuk shkojnë për qytetarët, por për makijazh elektoral.

“Kjo për opozitën është antikushtetuese. Paratë e privatizimit të Albpetrol janë të qytetarëve. Kjo qeveri duhet të marrë miratim në Kuvend se si dhe ku do shkojnë këto para. Eksperienca na mëson se djalli fshihet pas detajeve, prandaj themi që këto të ardhura do shkojnë për asfalt dhe makijazh elektoral, nuk do ulin varfërinë për aq kohë sa neni 9 do vazhdojë të jetë i shkruar siç është”, tha ajo.
Ndër të tjera Kodheli shtoi se, “duhet një plan i ri buxhetor për përdorimin e të ardhurave”.

Ndërsa në kundërpërgjigje ministri i Financave Ridvan Bode shtoi se ky nen është hartuar në bazë të një standardi të përdorur edhe më parë.
“Formulimi në nenin 9 është standard i përdorur edhe nga qeveritë e majta dhe të djathta. Paratë e privatizimeve përdoren nga qeveria për rritjen e investimeve publike dhe për uljen e borxhit. Ato që propozon opozita janë pjesë e këtij neni”, tha Bode.

Malaj: Po shkelet Kushtetuta. Bode: I ligjshëm
Ora 11:20- Deputeti socialist Arben Malaj akuzoi mazhorancën se po shkel Kushtetutën me pr/buxhetin e vitit 2013. Sipas Malaj, shkeljet kushtetuese e vështirësojnë implementimin e buxhetit. “Në raport me të ardhurat kemi përkeqësim të deficitit. E drejta për të ndryshuar buxhetin,vetëm e Parlamentit”,- u shpreh Malaj.

Në replikë me deputetin socialist, ministri i Financave Ridvan Bode theksoi se buxheti i 2013-ës është tërësisht kushtetues dhe i ligjshëm.

Pak ditë më parë, Kuvendi miratoi në parim projekt/ buxhetin e vitit 2013, i cili u miratua me 74 votat pro të mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër. 

Niveli i të ardhurave në buxhetin e vitit 2013 parashikohet rreth 360.7 miliardë lekë, me një rritje prej 5.8 % kundrejt të ardhurave të pritshme për vitin 2012-të, ose në nivelin 25.2 % të PBB.(LajmeShqip.com)