Lajme Shqip Saturday, 01 June 2013 13:27

Prishtinë – Ambientin e të bërit biznes po e pengon burokracia nga agjenci të ndryshme qeveritare. Pengesa paraqet niveli lokal, ndërsa investimet e huaja nuk i sjellin ligjet dhe rregulloret, por një përvojë e mirë e tyre, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Mimoza Kusari- Lila, zëvendëskryeministre, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë.

“ Burokraci ka në Kosovë, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror. Kushdo që thotë se nuk ka, nuk është e vërtetë. Për shkak se ka raste që ne, edhe në agjenci të ndryshme që i raportojnë Kuvendit, duhet të intervenojmë për përshpejtim të procedurave. Ka raste kur ato bllokohen, për interesa personale apo qëllime tjera që janë të sanksionuara me ligj. Por, që pavarësisht insistimit tonë, që të përshpejtohet procedura ose të shkojë në procedurë të rregullt, ka kokëfortësi apo rezistencë nga institucione të caktuara. Megjithatë, nuk duhet të anashkalohen përpjekjet dhe suksesi në shkurtimin e numrit të madh të burokracive të procedurave. Janë bërë përmirësime në regjistrimin e biznesit, janë bërë reduktime në dokumente sa i përket importit dhe eksportit të mallrave. Ndërsa, tani në këtë javë, presim në qeveri që të kalojë ligji ombrellë për leje dhe licenca, ligj ky që do të shkurtojë mbi 40 për qind të lejeve dhe licencave aktuale në Kosovë, në mënyrë që këto burokraci që po flasim, këto procedura të jenë më të pakta dhe më të shkurta. Ky është një hap i drejtpërdrejtë dhe konkret në luftimin e korrupsionit dhe dukurive, të cilat e dëmtojnë ambientin e biznesit”, ka thënë veç tjerash, ministrja Kusari-Lila.