Lajme Shqip Tuesday, 12 February 2013 17:56

TIRANE – Shoqëria “Kurum International “ sha nënshkuan me Ministrinë e Ekonomisë kontratën për blerjen e 100% të aksioneve të 4 HEC-eve, përkatësisht, Bistrica 1, Bistrica 2, Ulëz dhe Shkopet.

Po sot ky vendim për blerjen e 100% të aksioneve është miratuar edhe nga Këshilli i Ministrave.

“Me VKM-të nr. 26 dhe nr. 27, datë 09.01.2013, Këshilli i Ministrave miratoi ofertat e shoqërisë “Kurum International “ sha, si fituese për blerjen e 100 për qind të aksioneve, përkatësisht të shoqërisë “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sha dhe shoqërisë HEC Ulëz Shkopet sha, si dhe ngarkoi Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të negociojë dhe të nënshkruajë kontratat me kandidatin fitues”, theksohet në deklaratën e METE. 

Kontratat do të kalojnë më pas për miratim në Këshillin e Ministrave e Parlament.

“Në zbatim të këtyre vendimeve, më datë 11 Shkurt 2013, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nënshkroi me kandidatin fitues shoqërinë “Kurum International” sha, marrëveshjet përkatëse për blerjen e aksioneve të shoqërive “HEC Bistrica 1 dhe Bistrica 2” sha dhe “HEC Ulëz Shkopet” sha. Në vijim të procedurave, kontratat do të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe organet e tjera përkatëse sipas ligjit, dhe së fundi në Parlament”, thuhet më tej në deklaratë.(LajmeShqip.com)