Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 16:32

Tiranë – Administratori i Përgjithshëm i “Alb Konfindustria”, Gjergj Buxhuku, ka shprehur sot me anë të një njoftimi për shtyp shqetësimin lidhur me njoftimet e fundit për përpjekjet e vendimarrjes politike të Greqisë për ndalimin e dërgimit të të ardhurave dhe kapitaleve të emigrantëve shqiptarë në atdhe.

Sipas tij, “këto përpjekje janë në kundërshtim të plotë me parimet kryesore të demokracisë, globalizimit të tregjeve dhe gjithë marrëveshjeve ndërkombëtare”. “Në të njëjtën kohë, e vërteta e plotë e shkëmbimeve të kapitaleve financiare dhe të ardhurave personale ndërmjet të dy vendeve flasin në humbje të qartë të Shqipërisë në favor të Greqisë”, shton Buxhuku.
Sipas tij, “Alb Konfindustria vlerëson se nëse masa kryesore e të hyrave financiare nga Greqia në drejtim të Shqipërisë përfaqësohen nga remitancat e të punësuarve shqiptare, në drejtim të shtetit fqinj shkojnë shuma të medha në formën e dividentit të bizneseve greke në vendin tonë si dhe kapitale financiare me vlerë prej qindra milion euro të përvitshme, që shkojnë në mbulimin e importeve të larta të Shqipërisë”. 
“Sipas vleresimeve të përafërta del, që vetëm fitimet e siguruara në Shqipëri dhe të transferuara në drejtim të Greqisë e tejkalojnë ndjeshëm masën e përgjithshme të remitancave të emigrantëve shqiptare, që hyjnë në Shqipëri. Janë norma fitimi të siguruara në tregje strategjike si, telekomunikacionet, sistemi bankar, nafta dhe nënprodhimet e saj, çimento si dhe prodhime të industrisë agroushqimore”, thekson ai.  
“Gjithashtu, vijon Buxhuku, vlerësohet se vetëm në tregun e telekomunikacionit shuma e përgjithshme e fitimeve të kompanive me kapital grek pjesë e rëndësishme e të cilave janë të transferuara drejt Greqise kapin shifrat e 2 miliard euro”. 
Sipas tij, “duhet vlerësuar edhe fakti se në shumë raste kemi të bëjmë edhe me dalje në shuma të mëdha dhe në mënyrë të paligjshme të parave shqiptare jashtë vendit të siguruara nga evazioni fiskal i kompanive me kapital të huaj përfshi edhe kompani greke, që nuk i janë nënshtruar taksimit duke goditur ashpër qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike dhe ekonominë e Shqiperisë”.
“Alb Konfindustria i kërkon  institucioneve shtetërore, që të marrin të gjitha masat e duhura të marketingut për të bërë të mundur përfshirjen në amnstinë fiskale të të gjithë emigrantëve shqiptare, që vijnë në atdhe për pushimet e verës”, thekson ai.