Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 10:00

Kukës – Reshjet e dëborës nuk kanë penguar funksionimin e tregut industrial, ndonëse vetë tregtarët thonë se, blerësit mungojnë thuajse tërësisht, veçanërisht blerësit e veshjeve.

“Nuk kemi çfarë të bëjmë. Hapim e mbyllim tregun, pasi blerësit mungojnë thuajse tërësisht”, thotë tregtari, Islam  Hyseni.

Në këtë situatë tregtarët shpresojnë të fitojnë diçka, sa për të siguruar bukën e fëmijëve. “Fitim nuk kemi, por fëmijët duan të hanë. Kjo është puna jonë”, thotë një tjetër tregtar, Agron Dauti.

Gjithsesi për tregtarët e veshjeve e të këpucëve, blerësit kryesorë janë nga fshati. “Blerësit më së shumti i kemi nga fshati. Fshati është i izoluar  nga dëbora, ndaj nuk vjen njeri te ne”, thotë Agroni. Sipas tij, “malli do të mbetet stok për shumë kohë dhe humbjet do të jenë të ndjeshme”.

Ndërkohë, tregu  është i izoluar edhe nga dëbora. Askush nuk vjen të hapë rrugën nga dëbora, gjithçka e bëjmë vetë, ndonëse bashkisë i paguajmë çdo ditë taksën e vendit”, thotë Agroni.