Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 16:17

Kukës – Numri i fermave blegtorale në qarkun e Kukësit është rritur ndjeshëm , gjë që ka ndikuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjeve të zonave rurale të këtij rajoni.

“Veçanërisht si rrjedhojë e zbatimit të projektit “Në ndihmë të zhvillimit të zonave rurale” zhvillimi i blegtorisë është zgjeruar deri në zonat më rurale, gjë që ka mundësuar edhe rritjen e ndjeshme të numrit të krerëve”, tha drejtori i Drejtorisë Rajonale të Bujqësisë, Arif Rexhmati.

Sipas tij, pozitiv është fakti se rritja e numrit të krerëve ka sjellë edhe shtimin e blegtorëve me ferma mbi 100 krerë.

Aktualisht në shkallë qarku vetëm për të imtat janë mbi 30 ferma me mbi 200 krerë të imta, 110 ferma me 100 – 200 krerë të imta, 600 ferma me 50 – 100 krerë të imta dhe 4600 ferma me deri në 50 krerë të imta.

Rritja e numrit të fermave me mbi 200 krerë të imta ka bërë që të kthehen në biznese familjare, ndërsa në disa prej tyre pronarët të punësojnë barinj me pagesë, veçanërisht për tufat që o dimërojnë në zonën fushore siç ndodh me barinjtë e zonës së Bushtricës, Kalisit e Grykë Cajës.

“Edhe gjatë këtij dimri janë mbi 7000 krerë të imta, që janë nisur për dimërim në zonën fushore. Një prej tyre është Burhan Matranxhi, nga Grykë Caja, i cili është nisur për dimërim me rreth 600 krerë dele në zonën e fushë Krujës”,- thotë Rexhmati.

Drejtoria Rajonale e Bujqësisë për t’u ardhur në ndihmë blegtorëve në këtë periudhë ka ngritur grupe pune të përbëra nga specialistë, që monitorojnë ecurinë e blegtorisë gjatë gjithë periudhës së dimrit.

Nga blegtorët e qarkut të Kukësit mbarështohen 44 mijë gjedhë, 69000 të leshta dhe 25000 të dhirta. Po ashtu mbarështohen edhe 140000 shpend dhe 15500 koshere bletësh.

Në ecurinë e punës ndikim pozitiv kanë dhënë edhe 4 shoqatat e fermerëve të ngritur në qarkun e Kukësit.