Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 11:47

Kukës – Rritja  nga viti në vit e investimeve jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga  donatore të tjerë ka bërë që numri i firmave private të ndërtimit të vijë në rritje të vazhdueshme, duke e kthyer sektorin e ndërtimit në një biznes fitimprurës e rentabël në qarkun e Kukësit.

Një gjë e tillë ka bërë që aktualisht nga 190 biznese të mëdha që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në shkallë qarku, në Kukës, 65 janë vetëm në sektorin e ndërtimit.

“Është një tregues që vjen në rritje, bile do të ishte edhe më i madh, pasi firma si ato që ndërtojnë hidrocentrale të vegjël, apo që shfrytëzojnë pasuritë nëntokësore, janë të regjistruara në Tiranë”, thotë përgjegjësi i zyrës  ekonomike  në prefekturën e Kukësit, Shkëlqim Dulla.

Tendenca në rritje e firmave të ndërtimit është rrjedhojë edhe e investimeve  nga donatore të huaj e biznesi privat. Kjo  ka bërë që  të zgjerohet mundësia e përfitimit të tenderave jo vetëm në investimet pranë qytetit, por edhe në zonat rurale, ku punësimi i banorëve të këtyre zonave ndikon në permiresimin e situates ekonomike të familjeve më në nevojë.

Po ashtu, bie ne sy fakti që përgjatë  autostradës Morin – Kukës –  Durrës  kanë nisur punimet për ndërtimin e lokaleve të shërbimit, apo të karbutranteve nga  biznesmenë vendas .

Ndërtimi në zonën verilindore gjithnjë e më tepër po kthehet në sektorin me rentabël e fitimprurës jo vetëm për biznesin, por edhe për komunitetin. “Mbi 70 për qind e të punësuarve në sektorin privat janë të punësuar në sektorin e ndërtimit”, thotë Dulla.  Sipas tij, një tendencë rritjeje e firmave të ndërtimit do të vazhdojë ende, pasi edhe investimet që po zbatohen gjatë këtij viti në këtë rajon janë të konsiderueshme.