Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 12:01

Kukës – Ka nisur sot punën një fabrikë këpucësh në qytetin e Kukësit, e para e këtij lloji në këtë qytet verior, që mundëson punësimin deri të 150 personave, kryesisht vajza. Fabrika ndodhet në zonën industriale, në periferi të qytetit.

Presidenti i firmës “Pjetroni”, Pjerin Radovani, tha se “fabrika ka një kapacitet punësimi rreth 150 punëtorë. Në fazën e parë, që sot kanë nisur punën 50-70 vetë. 50 për qind e efektivit të punëtorëve duhet të kenë mbaruar kurse kualifikimi, ose të kenë shprehi për të qepur. Ecuria e tyre do të krijojë mundësi për marrjen edhe të të tjerëve për t’i kualifikuar”, u shpreh Radovani.

Pjesëmarrja në kurse kualifikimi, veçanërisht kursi i dytë do të jetë me pagesë. Radovani tha se për këtë do të kontribuojë edhe qeveria nëpërmjet programeve të punësimit. “Në raste të tilla përfitohet një pagë prej 9500 lekë për 4 muajt e zhvillimit të kursit të dytë”, tha Radovani. Sipas tij, të ardhurat e punëtorëve mund të shtohen përmes të ardhurave që merr firma nga qeveria për kurset e kualifikimit, ndërsa specialistët do të vinë nga qytete të tjera deri sa të përgatiten të tillë edhe në Kukës.

Mundësitë e zhvillimit ekonomik të këtij rajoni me ndërtimin e autostradës janë të shumta. Vetë presidenti i kësaj firme, Pjerin Radovani, tha se “ardhja nga Shkodra, apo Durrësi për dy orë e gjysmë jep shumë mundësi zhvillimi. Edhe qeveria po na ndihmon, veçanërisht ne që punojmë për eksport për të investuar edhe në zona si Kukësi”. “Kështu është ulur tatim fitimi, kontributi i sigurimeve shoqërore dhe shpresoj që edhe në Kukës të mos mungojë energjia elektrike”, u shpreh Radovani. Sipas tij, hapja e fabrikës u shërben të gjithëve, i shërben zhvillimit të vendit.