Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 15:30

Kukës – Prodhimi i energjisë elektrike nga era po shihet me mjaft interes nga kompanitë private në zonën e Kukesit, ku dy kompani italiane, “Bonkom” dhe “Asja”, të cilat kanë kryer studime të avancuara gjatë dy viteve të kaluara, vlerësojnë si mjaft fitimprurës prodhimin e energjisë elektrike nga era në këtë rajon.

“Kompania “Bonkom” në fillim të muajit prill do të fillojë punimet për këtë proçes dhe vazhdon të sjellë bazën  materiale, ndërsa ka përfunduar gjithë dokumentacionin për fillimin e punës.

“Ne kemi ndërhyrë dhe për zgjidhjen e problemit të pronësisë me pushtetin vendor te komunes se Golajt, qe i kerkon kompanise t’i mundësohet lënia falas e tokës së zënë prej saj, në këmbim të shlyerjes falas të një pjese të energjisë elektrike që pushteti vendor shpenzon gjatë një viti “, tha për ATSH-ne, zëdhënësi i prefektit, Ilmi Lisha.

Sipas tij, “puna do të nisë në komunën e Golajt të rrethit të Hasit, në zonën Qafë Prush – Maja e Taplasit ku nga specialistët e kompanisë është parë si më e leverdisshme fillimi i punimeve”.

Të dy kompanite italiane i kanë nisur studimet që në vitin 2009 me synim, prodhimin e energjisë elektrike nga era.

Kompania “Bonkom” ka monitoruar komunat e Golajt e Gjinajt të rrethit të Hasit si dhe të Tërthores, Shishtavecit, Topojanit e Kalisit, të rrethit të Kukësit, ku veprimi i erës është më i ndjeshëm. Vjet kompania ngriti antenat për studimin e sasisë së shpejtësinë së erës, që mundëson prodhimin e energjisë elektrike në Golajt.

“Nga studimi ka rezultuar se ngritja e centralit me erë në këto zona është me përfitim maksimal”, thotë Lisha.

Ndërsa kompania “Bonkom” ka plotësuar procedurat ligjore për marrjen me koncension për 35 vjet të zonave të përcaktuara prej saj si të leverdisshme për prodhim të energjisë nga era.